NATO shqyrton zgjerimin e arsenalit bërthamor në Evropë përballë kërcënimit rus
Sipas shkencëtarëve, disa zakone të vogla në kuzhinë mund të ndihmojnë në uljen e ekspozimit ndaj mikroplastikës dhe kimikateve që lidhen me të, si BPA, ftalatet dhe PFAS, të cilat janë lidhur me probleme shëndetësore si sëmundjet e zemrës, infertiliteti, çrregullimet metabolike dhe disa lloje kanceri, ka shkruar The Washington Post.
Sipas ekspertëve nuk është e nevojshme të hiqni dorë nga çdo produkt plastik, por ndryshimet e vogla mund të bëjnë diferencë.
Gjashtë zëvendësime të rekomanduara:
1. Përdorni mjete druri në vend të plastikës
Lugët, shpatullat dhe dërrasat e prerjes prej druri ose bambuje janë një alternativë më e sigurt. Studimet tregojnë se enët plastike mund të lëshojnë mikroplastikë, sidomos kur përdoren në temperatura të larta.
2. Zgjidhni enë gatimi prej hekuri ose çeliku inox
Tiganët që nuk ngjisin, të veshur me teflon, mund të çlirojnë kimikate gjatë përdorimit. Gatimi në enë prej hekuri ose çeliku inox konsiderohet një alternativë më e sigurt.
3. Ruani dhe ngrohni ushqimin në enë qelqi
Ekspertët këshillojnë të mos ngrohni kurrë ushqimin në mikrovalë brenda enëve plastike. Enët prej qelqi janë zgjedhja më e mirë për ruajtjen dhe ngrohjen e ushqimeve.
4. Përdorni blender me gotë metalike ose qelqi
Blenderët me gota plastike mund të çlirojnë grimca plastike gjatë përzierjes së ushqimit. Modelet me çelik inox ose qelq janë më të sigurta.
5. Mbani shishe uji prej çeliku inox
Shishet plastike, sdiomos ato njëpërdorimëshe, mund të lëshojnë mikroplastikë në ujë. Nëse keni ujë të pijshëm të sigurt, përdorni një shishe të ripërdorshme prej çeliku inox.
6. Preferoni ushqimet e thata në vend të atyre të konservuara
Kanaçet e konservave zakonisht kanë një shtresë plastike në brendësi, nga e cila mund të kalojnë kimikate në ushqim. Për shembull, fasulet dhe qiqrat e thata mund të zihen lehtësisht në shtëpi dhe të ruhen në enë qelqi.
“Këto kimikate hyjnë në trupin tonë dhe, ani pse një pjesë eliminohet, ato mund të shkaktojnë dëme, ndërsa disa mbeten në organizëm”, ka thënë epidemiologia Shanna Swan.
Ndërsa profesoresha Courtney Carignan ka theksuar se nuk duhet fiksuar pas kësaj teme.
“Por është mirë të ndryshojmë disa zakone për të ulur ekspozimin”, ka thënë ajo./koha