379 vjet nga vdekja e Frang Bardhit, leksikografi i parë i gjuhës shqipe dhe folkloristi e etnografi i parë shqiptar

Sot, përkujtojmë 379-vjetorin e ndarjes nga jeta të ipeshkvit, shkrimtarit, leksikografit, folkloristit dhe etnografit shqiptar, Frang Bardhi.

Frang Bardhi u lind në vitin 1606 në Kallmet, në krahinën e Nënshatit të Zadrimës. Vinte nga një familje e klerike e Zadrimës. Studioi në Seminarin e Loretos në Itali. Frank Bardhi ishte ipeshkvit i Sapës. Ishte shkruesi i parë i një fjalori për gjuhën shqipe, i cili ka rreth 5000 fjalë të përkthyera nga latinishtja në shqip, si dhe numërorë, emra vendesh dhe një sasi fjalësh të urta e shprehjesh të mbledhura në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Kjo bën që Bardhi të jetë leksikografi i parë i gjuhës shqipe dhe folkloristi e etnografi i parë shqiptar i njohur deri më tani.

Vepra më e njohur e Bardhit është “Apologjia e Skënderbeut”, botuar në latinisht më 1636 në Venedik. Titulli i saj i plotë është: “Gjergj Kastrioti epirotas, i quajtur zakonisht Skënderbe, princ trim mbi trima dhe i pathyeshëm i shqiptareve, u kthehet bashkatdhetarëve dhe atdheut të tij”. Vepra në të vërtetë është një apologji (mbrojtje) që i bën autori Skënderbeut, si bir dhe hero i popullit shqiptar, prandaj edhe është quajtur Apologjia e Skënderbeut. / KultPlus.com

Read Previous

​Nga ky muaj edhe fëmijët e lindur në vitin 2014 mund të përfitojnë nga shtesat për fëmijë

Read Next

Fuqia rezistuese e këngës “Hallelujah” të Leonard Cohenit