Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Shtetet e Bashkuara kanë nisur një nismë për krijimin e një zone tregtare për mineralet kritike, të domosdoshme për prodhimin e gjithçkaje nga telefonat inteligjentë deri te armët, në përpjekje për të ulur varësinë nga Kina, e cila dominon këtë sektor.
Departamenti Amerikan i Shtetit organizoi takimin e parë ministror për mineralet kritike, ku morën pjesë vende dhe organizata si Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian, Japonia, India, Koreja e Jugut, Australia dhe Republika Demokratike e Kongos.
Në fokus të diskutimeve ishte sigurimi dhe qasja në minerale thelbësore për prodhimin e çipave kompjuterikë dhe baterive të automjeteve elektrike.
Nxjerrja dhe përpunimi i këtyre mineraleve, përfshirë elementët e rrallë të tokës, dominohen prej Kinës. Megjithëse në deklaratat zyrtare nuk u përmend drejtpërdrejt Pekini, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance foli për furnizime “të huaja” që mbushin tregjet globale dhe e bëjnë të vështirë financimin e projekteve në vende të tjera që zotërojnë këto burime.
Vance tha se SHBA-të planifikonin të përdornin tarifa për të parandaluar rënien e çmimeve të mineraleve kritike në nivele që dekurajojnë investimet. Ndërkohë, David Copley, këshilltar i posaçëm i presidentit Donald Trump, deklaroi se administrata synon të “mobilizojë qindra miliarda dollarë kapital” në sektorin minerar për të vënë në lëvizje projekte të reja.
Sipas tij, investime janë bërë tashmë në kompani si MP Materials, prodhues i magnetëve me elementë të rrallë, dhe Lithium Americas, e cila prodhon materiale kyçe për bateritë e rikarikueshme. Përfaqësuesi amerikan për tregtinë, Jamieson Greer, shtoi se SHBA-të, Japonia dhe Komisioni Evropian po zhvillojnë politika dhe mekanizma tregtarë të koordinuar për të shmangur problemet e mundshme me furnizimin e mineraleve strategjike.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Kinës reagoi duke theksuar se vendet duhet të respektojnë parimet e ekonomisë së tregut dhe rregullat ndërkombëtare të tregtisë, si dhe të forcojnë dialogun dhe komunikimin.
Nisma është pjesë e një strategjie më të gjerë të Uashingtonit për të kundërshtuar aftësinë e Kinës për të përdorur dominimin e saj në këtë industri si mjet presioni në negociatat tregtare. Të hënën, presidenti Trump njoftoi krijimin e një rezerve kombëtare të mineraleve kritike, të quajtur “Project Vault”, me vlerë rreth 12 miliardë dollarë.
Industria e ka përshëndetur këtë hap. “Është thelbësore që Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin hapa vendimtarë për të siguruar furnizimin me minerale dhe elementë të rrallë”, tha Wade Senti, president i Advanced Magnet Lab.
Ngjarja u mbajt në të njëjtën ditë kur Trump zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin kinez Xi Jinping, të cilën ai e përshkroi si “shumë pozitive”.
Kina aktualisht ka kontroll të fortë mbi eksportet e elementëve të rrallë dhe kërkon miratim qeveritar për dërgesat jashtë vendit, një praktikë që ka goditur veçanërisht industrinë amerikane dhe që, sipas analistëve, po përdoret si kartë kyçe në bisedimet tregtare me Washingtonin. /Albanianpost.com