34 familje të komuniteteve jo shumicë bëhen me banesa nga projekti i BE-së dhe Qeverisë

34 banesa të reja janë përuruar sot për komunitetet jo shumicë të cilat jetojnë në kushte të vështira.

E gjithë kjo mbështetje është bërë në kuadër të projektit të strehimit të familjeve që kanë banuar në qendra kolektive. Kështu, ka theksuar Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili bashkë me kryeministrin Kurti kanë marrë pjesë në ceremoninë e përurimit.

Szunyog derisa ka thënë se ky projekt ka mbështetur gjithsej 34 familje, ai ka shtuar se për ta, nga sot fillon një jetë e re.

Ambasadori Szunyog po ashtu ka deklaruar se mbështetja e kësaj ngjarjeje edhe një herë rikonfirmon rolin e Bashkimit Evropian si donatori më i madh në Kosovë.

“BE-ja beson fuqimisht, se përmes mbështetjes së nevojave të të gjitha komuniteteve, Kosova mund të krijojë kushte jetese për të gjithë që reflektojnë shoqërinë multietnike dhe gjithëpërfshirëse dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të komuniteteve joshumicë. Ajo ofron mundësinë që Kosova të ruajë të gjitha etnitë, kulturat dhe vlerat e tyre të ndryshme….Në kuadër të këtij projekti në total kemi mbështetur 56 familje të komuniteteve joshumicë të cilat jetojnë në kushte të vështira. Përveç 34 banesave të reja që po i përurojmë sot, kemi rinovuar edhe një kompleks tjetër banesor social në Komunën e Graqanicës, me ç’rast janë përmirësuar kushtet e jetesës së 22 familjeve. Përveç asistencës për strehim, projekti ofroi pajisje të reja shtëpiake, ushqime, pako jo ushqimore, lidhje të nevojshme infrastrukturore, gjenerim të të ardhurave akses në shërbimet sociale dhe zbukurim të zonave të përbashkëta. Ky projekt është pjesë e përkushtimit më të gjerë të BE-së ndaj Kosovës, komuniteteve joshumicë. Deri më sot, BE-ja ka ofruar mbi 77 milionë euro për programe të ndryshme që adresojnë komunitetet joshumicë, jetesën, krijimin e vendeve të punës, mbështetjen e arsimit, mbështetjen për organizatat e shoqërisë civile dhe kthimin dhe riintegrimin e personave të zhvendosur në Kosovë. Mbështetja e kësaj ngjarjeje edhe një herë rikonfirmon rolin e Bashkimit Evropian si donatori më i madh në Kosovë”, tha Szunyog.

Më tej ai ka shtuar se ky projekt është një iniciativë e përbashkët e themeluar nga Bashkimi Evropian dhe Qeverisë së Kosovës përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme për banim për personat e zhvendosur që u përkasin komuniteteve jo shumicë.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se edhe me këtë projekt si Qeveri janë duke përmbushur zotimet e dhëna.

Ai derisa është shprehur i lumtur që gjitha këto familje janë mbështetur nga ky projekt, ka thënë se dorëzimi i çelësave kujton dyert e qendrave kolektive që përfundimisht janë mbyllur, për të filluar një jetë më të mirë.

“Ne të gjithë mund të ndjejmë frymëzimin që e paraqet e një fillimi, akomodimi i denjë ku individët, çiftet, prindërit dhe fëmijët, të vjetër dhe të rinjtë mund të jenë të sigurt dhe të ndihen rehat, sidomos në këto ndërtesa që janë modele të ruajtjes dhe qëndrueshmërisë së energjisë, dorëzimi i këtyre çelësave sot përfaqëson dy arsye të tjera për festim, e para është se hapja e dyerve të këtyre apartamenteve na kujton dyert e qendrave kolektive që përfundimisht janë mbyllur. Në strategjinë tonë për mbrojtjen dhe përmirësimin e të drejtave të komuniteteve dhe anëtarëve të tyre nga që Qeveria jonë e miratoi para katër muajve, ne u zotuam për mbylljen e këtyre qendrave kolektive dhe për familjet që kanë jetuar në qendrën kolektive Padalishte në disa raste më shumë se 20 vite, dita e sotme paraqet fundin e një udhëtimi i gjatë pasi ata më në fund po vendosen në një shtëpi të përhershme”, tha Kurti.

Prezent në këtë ceremoni ishte edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq. Ai ka thënë se 34 banesat e ofruara nga ky projekt janë për 83 persona, ndërsa ka shtuar se ministria ka ofruar edhe pajisje elektrike, mobile dhe ushqim në mënyrë që t’iu lehtësohet jeta e atyre qytetarëve.

“Ministria për Komunitete dhe Kthim në bashkëpunim me në këtë rast parasë gjithash me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian dhe gjithë ashtu në bashkëpunim për Zbatimin me Dr.C dhe UNHC kemi filluar ndërtimin e objektit në tetor të vitit 2022. Ku janë siguruar 34 njësi akomoduese për 83 persona, gjithashtu për çdo familje, Ministria ka siguruar gjithashtu në bashkëpunim me Dr.C., pajisje elektrike, mobilie si dhe pako ushqimore qe sigurisht ne fillim do t’ua lehtësojnë jetën këtyre familjeve, këtyre banorëve, ju nuk ju është siguruar vetëm kulmi mbi kokë, ju është sigurua edhe hapësira për rekracion dhe pres që të ndihmojmë, ashtu siç tha kryeministri pas ndeshjes së basketbollit, që përfundimisht ta rinovojmë edhe oborrin”, tha ai.

Në këtë lagje të kësaj komune, është bërë ndërtimi i dy ndërtesave banesore, i hapësirave komunale dhe i zonave rekreative./kp

Read Previous

Gjashtë muaj në mision, tre astronautë kinezë kthehen nga hapësira

Read Next

Inflacioni në Francë ra paraprakisht në 2.2 për qind gjatë muajit prill