​Rama dhe kryeministri holandez: Komuniteti Politik Evropian është ide e mirë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Holandës, Mark Rutte në një opinion të publikuar në politico.eu kanë thënë se Komuniteti Politik Evropian është një ide e mirë.

Duke folur për pushtimin rus të Ukrainës, Rama dhe Rutte kanë thënë se kjo luftë e pashembullt dhe e pajustifikuar është sulm kundër rendit juridik ndërkombëtar dhe si e tillë, përbën një kërcënim për lirinë dhe sigurinë në botë.

“Me këtë luftë, presidenti rus, Vladimir Putin, shpresoi të mbillte përçarje midis vendeve të Evropës, por, në fakt, ia doli të marrë të kundërtën. Ne qëndrojmë të bashkuar, jo vetëm anëtarët e Bashkimit Evropian, por të gjitha vendet e Evropës”, thuhet në këndvështrimin e përbashkët të Ramës dhe kryeministrit holandez.

Ata kanë thënë po ashtu se do të bëjnë gjithçka brenda mundësive për të ndihmuar Ukrainën të rifitojë sovranitetin dhe integritetin e plotë territorial dhe do të mbështesin rindërtimin e saj.

Opinioni i plotë:

Më 24 shkurt, ndërkohë që Rusia nisi pushtimin e saj brutal të Ukrainës, Evropa u përball me zgjimin e beftë se paqja në kontinent nuk është e garantuar. Kjo luftë e pashembullt dhe e pajustifikuar është sulm kundër rendit juridik ndërkombëtar dhe, si e tillë, përbën një kërcënim për lirinë dhe sigurinë tonë.

Me këtë luftë, presidenti rus, Vladimir Putin, shpresoi të mbillte përçarje midis vendeve të Evropës, por, në fakt, ia doli të marrë të kundërtën. Ne qëndrojmë të bashkuar, jo vetëm anëtarët e Bashkimit Evropian, por të gjitha vendet e Evropës.

Do të bëjmë gjithçka brenda mundësive tona për të ndihmuar Ukrainën të rifitojë sovranitetin dhe integritetin e plotë territorial dhe do të mbështesim rindërtimin e saj. Megjithatë, është fakt se agresioni i paprovokuar i Rusisë na detyron po ashtu të reflektojmë mbi disa prej parimeve themelore që ndajmë në kontinentin tonë dhe mënyrës sesi të mbrojmë sa më mirë demokracinë dhe vlerat tona të përbashkëta. Nevoja për një kundërpërgjigje evropiane të fortë, të vazhdueshme e të bashkuar është sot më e nevojshme se kurrë.

Kjo është arsyeja pse ne e përkrahim plotësisht propozimin e presidentit Emmanuel Macron për një Komunitet Politik Evropian (KPE).

KPE-ja duhet të jetë vendi ku të gjitha vendet demokratike evropiane të mund të diskutojnë shqetësimet dhe sfidat e përbashkëta dhe të gjejnë zgjidhje. Komuniteti nuk duhet të jetë burokratik, por elastik. Ai duhet të orientohet jo nga agjendat fikse, por nga përparësitë që na prekin të gjithëve, përfshi luftën në Ukrainë, varësinë energjetike dhe sigurinë ushqimore.

Ne kemi nevojë për një platformë e cila nuk u mbivendoset organizatave të forta rajonale që kemi tashmë në Evropë e nuk i zë vendin procesit të mirëstrukturuar të anëtarësimit në BE për vendet kandidate. KPE-ja duhet të jetë një hapësirë ku të mund të takohemi e të bëjmë punë, pavarësisht nëse jemi anëtarë të BE-së apo jo.

Presim me shumë padurim mbledhjen tonë të parë më 6 tetor, në qytetin e bukur të Pragës dhe besojmë fort se kemi qysh në fillim një program të rëndësishëm e ambicioz për të diskutuar.

Ne vetë shohim potencial të jashtëzakonshëm për zgjerimin dhe integrimin e rrjeteve të energjisë dhe transportit të kontinentit tonë dhe, në KPE, mund të diskutojmë sesi të punojmë për shkuar drejt një sistemi energjetik evropian të ndërlidhur dhe me efekte zero në klimë. Dhënia përparësi investimeve në prodhimin evropian të energjisë do të ndihmojë më tej për të përftuar pavarësi të plotë nga eksportet ruse të energjisë, ndërkohë që, pa dyshim, brenda një afati të shkurtër të gjitha vendet evropiane duhet të punojnë për të gjetur zgjidhje për rritjen e çmimeve të energjisë.

Në të njëjtën kohë, kriza e klimës mbetet një prej sfidave më të mëdha me të cilat përballemi — këtë mund ta shohim çdo ditë në mbarë kontinentin. Kësisoj, na duhet të bashkërendohemi edhe për të çuar përpara ambicien e shprehur në mbledhjen e Konferencës për Ndryshimin e Klimës (COP26), në Glasgou, për të financuar përshtatjen klimaterike të vendeve në zhvillim.

Një tjetër sfidë e madhe është siguria kibernetike. Të gjitha vendet tona përballen me kërcënime kibernetike, ndaj ne duhet të forcojmë qëndresën e përbashkët kibernetike duke punuar me njëri tjetrin, për të siguruar institucionet dhe rrjetet tona.

Pos këtyre sfidave, na duhet edhe të investojmë në një agjendë pozitive për të ardhmen tonë të përbashkët.

Së pari e kryesisht, kjo do të thotë investim te të rinjtë tanë. Kështu, ne duhet të diskutojmë për kapacitete, konkurrueshmëri dhe qëndrueshmëri mbarë evropiane të arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe novacionit dhe kjo duhet bërë sa më shpejt, pa asnjë vonesë. Duhet të vazhdojmë të nxisim shkëmbimet midis të rinjve dhe bashkëpunimin midis universiteteve dhe mund ta shfrytëzojmë KPE-në për të ndarë praktikat më të mira në këtë fushë.

Së fundi, duhet, po ashtu, të diskutojmë sesi të përmirësojmë tregtinë brenda Evropës. Ne kemi nevojë për një kuadër të fortë të rritjes ekonomike dhe konvergjencës sociale në çdo anë të Evropës. Është thelbësore që të mbështesim nismat rajonale e lokale të bashkëpunimit ekonomik dhe të investojmë në ndërlidhjen rajonale të transportit dhe tregtisë.

KPE-ja paraqet për ne një mundësi vendimtare për t’i parë në sy sfidat e përbashkëta. Evropa duhet t’i japë formë së ardhmes së vet dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është të punojmë së bashku si anëtarë demokratikë të familjes evropiane. Kur punojmë së bashku, jemi më të fortë, më të sigurt, më të begatë.

Kështu, në Pragë, na lejoni të ngremë një forum që është gjithpërfshirës dhe efektiv.

Mund të mbështeteni te përkrahja jonë për ta arritur këtë.

/KosovaPress/

Read Previous

Ministrja e Gjermanisë për Evropë: Liberalizimi i vizave për Kosovën, do të ndodh këtë vit

Read Next

​Asociacioni i Komunave kërkon që Qeveria ti procedojë pagat për mësimdhënës