​Protestojnë punëtorët e KEK-ut, kërkojnë pagën e 13-të

Sindikata e Re e KEK-ut ka organizuar sot një protestë paqësore para zyrave të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Prishtinë.

Kryetari i sindikatës, Nexhat Lumnica, theksoi protesta është organizuar për të kërkuar rritje pagash dhe pagën e 13-të për punëtorët e KEK, ndërsa sipas tij punëtorët janë në një gjendje katastrofale, me paga që vetëm përmbushin nevojat minimale. Sindikata kërkon trajtim të barabartë me sektorin publik dhe shpreh pakënaqësinë për mungesën e veprimeve nga menaxhmenti i KEK-ut.

Kryetari i Sindikatës së Re KEK, Nexhat Lumnica thotë se punëtorët e KEK-ut emeritojnë pagën e 13-të, sepse prej kohësh kanë kërkuar rritje pagash, por nuk kanë marrë asgjë. Në sektorin publik ka pasur rritje pagash, ndërsa punëtorët e KEK-ut jo—dhe kjo, sipas tij, është e padrejtë dhe e turpshme.

“Kush më shume se ne e meriton pagën e 13-të, derisa kërkesa për ngritje të pagave është e kamotshme paga nuk është ngritur ne gjithë sektorin publik e kemi parë një rritje të pagës edhe në korrik, por jo edhe për punëtoret e KEK-ut. Ata thanë që kësaj radhe nuk po mundemi po u japim një bonus, e pranuam, por u dakorduam që në fundvit të ndodhë kjo. Në fundvit nuk po ndodh asgjë deri mbrëmë kemi negociuar dhe jemi takuar me bordin dhe menaxhmentin e KEK-ut, nuk afruan asgjë arsyeja është e thjeshtë keq planifikimi i tyre performanca e dobët e tyre. Nuk është faji i këtyre punëtorëve që sot e shprehin pakënaqësitë këtu. Kështu që për këta ne kërkojmë nivelizim të pagës krahas të gjithë punëtorëve të KEK-ut. Ne sot jemi këtu duke dëgjuar premtime për të gjithë sektorin publik që paguhen nga taksa paguesit e Kosovës që paguhen nga djersa jonë që e marrin pagën e 13-të e mos t’i japësh punëtorit të KEK-ut pagën e 13-të është më shumë se e turpshme”, tha ai.

Raif Pllana punëtorë i KEK-ut tha se kushtet e punës janë aq të këqija, sa i krahasojnë me kushtet e të burgosurve. Rroga që marrin është vetëm për mbijetesë, asgjë më shumë. Për këtë arsye, sipas tij e vetmja mundësi që u ka mbetur është hyrja në grevë dhe bllokimi i punës, sepse gjithë Kosova varet nga ta për furnizim me rrymë.

“Po që një vit gjendemi në gjendje katastrofale kushtet që i kemi ne punëtorët e KEK-ut vetëm ata të burgosurit i kanë si ne njëjtë. Një rrogë vetëm për ekzistencë faktikisht asgjë më shumë. Sipas të gjitha shanseve vetëm ajo është e vetmja shansë për të hyrë në grevë dhe të bllokojmë sepse e gjithë Kosova e ka nga ne dritën”, u Pllana.

Haxhi Kastrati punëtor i termocentralit në Kosova A tha se me rritjen e inflacionit, pagat e tyre nuk po mjaftojnë, ndaj kërkesa e tyre është vetëm pagesa e drejtë për punën dhe djersën që japin.

“Ndryshimin e pagave ne e kërkojmë nga ngritja e çmimit të energjisë elektrike. … Ne e shesim një megavat 29 euro e 50 cent kurse ne në rrjet që d.m.th., konsumatori e paguan 120 euro kjo është gjë absurde. Me ngritjen e inflacionit ne po e shohim që nuk jemi askund me pagat tona për atë arsye kërkojmë vetëm pagesën e djersës tonë”, tha ai

Sipas sindikatës, punëtorët po përballen me kushte të rënda pune dhe paga që mjaftojnë vetëm për ekzistencë, ndërsa rritja e inflacionit dhe çmimit të energjisë i ka përkeqësuar edhe më shumë mundësitë e tyre ekonomike. /KosovaPress/

Read Previous

Fluturimet më të gjata në botë, ku më së paku do të kaloni 17 orë në aeroplan

Read Next

“Handikos” në Gjakovë vazhdon për të dytin vit kampanjën “Blej me Zemër, Ndihmo një Ëndërr”