Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Në Komisionin për Integrime Evropiane, me katër vota për dhe dy abstenime është miratuar Projektligji për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, e po ashtu është miratuar edhe Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, të cilat janë përcjellë për votim në seancën plenare.
Kryetarja e këtij komisioni, Rrezarta Krasniqi ka theksuar se i njëjti ka për qëllim ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, duke shtuar se projektligji nuk rregullohet në mënyrë specifike me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
“Ky projektligj ka për qëllim ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës. Ka tre nene dhe nuk ka ndonjë amandament nga komisioni funksional. Lidhur me përafrimin me legjislacionin e BE-së, ky projektligj nuk rregullohet në mënyrë specifike me legjislacionin e BE-së”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, sa i përket projektligjit për mbrojtjen e konsumatorit, deputeti nga partia në pushtet, Driton Hyseni ka thënë se synon në mënyrë më të avancuar mbrojtjen e konsumatorit duke përfshirë listën e direktivave kryesore evropiane që janë të aplikueshme për mbrojtjen e konsumatorit.
“Projektligji synon në mënyrë më të avancuar mbrojtjen e konsumatorit duke përfshirë listën e direktivave kryesore evropiane që janë të aplikueshme për mbrojtjen e konsumatorit. Dhe meqë i tillë nuk bie ndesh me ligjet e BE-së”, tha Hyseni.
Ndërkaq, abstenime kishte nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, dhe deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj. /KosovaPress/