Kancelari gjerman, Friedrich Merz, kërkon progres në dialogun Kosovë-Serbi
Ish-presidentja e vendit, tash deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se vota e kësaj partie për Ligjin për Specialen nëse i njëjti do të kthehet në kuvend do të varet në tërësi nga përmbajtja.
Osmani tha se rikthimi i një ligji në kuvend duhet ta përmbajë arsyetimin, teksa përmendi shqetësimet që LDK-ja i kishte për përmbajtjen e atij ligj.
“Do të varët në tërësi nga përmbajtja. Siç e dini, rikthimi i një ligji në kuvend duhet ta përmbajë nga arsyetimi dhe do të varët nga përmbajtja. Si parim, unë e përkrahi të drejtën e cilitdo president që ta shfrytëzojë atë që në praktikë njihet si e drejta e vetos. Ju e dini që ne kemi pasur shqetësime fundamentale për përmbajtjen e atij ligji, rrjedhimisht nuk e kemi votuar. Por mbetet të pritet nëse ai ligj do të kthehet vërtetë dhe nëse kthehet cilat janë shqetësimet që i ka presidentja dhe pastaj do ta shqyrtojmë përmbajtjen e saj”, u shpreh Osmani, raporton KosovaPress.
Tutje, Osmani foli edhe për kontaktet me Administratën Trump, duke thënë se është me rëndësi që krerët e institucioneve t’i mbajnë ato.
Osmani tha se komunikimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë në nivelet më të larta politike dhe jo vetëm me disa zyrtarë të Departamentit Amerikan.
“Ju e dini që jo vetëm për shkak të historisë së gjatë të mbështetjes amerikane në raport me lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe zhvillimin e Kosovës por njëkohësisht edhe sot ne kemi forca amerikane që e ruajnë kufirin tonë bashkë me policinë, akoma kemi mbështetje të madhe edhe në aspektin ndërkombëtar por edhe në ekonomi është e domosdoshme që ky komunikim me Administratën Trump të mbetet i afërt, të jetë i përditshëm dhe të jetë i niveleve më të larta të mundshme. Pra, nuk po flas vetëm për komunikim me disa zyrtarë në DASh, por po flas për komunikimin e domosdoshëm që duhet të jetë me nivelet më të larta politike të kësaj administrate dhe ajo nuk mund të jetë vetëm me ne që kemi qenë më herët në zyrë por është e domosdoshme që të jetë edhe me krerët aktualë të institucioneve që duhet të angazhohen për këtë pjesë kaq fundamentale të suksesit të Kosovës dhe të ardhmes së saj”. /KosovaPress/