Deliu – Kodra kërkon monitorim të pavarur për Specialen

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu – Kodra, ka kërkuar që Avokati i Popullit të raportojë në Komisionin për Legjislacion lidhur me shqetësimet e ngritura në raportin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Javën e kaluar është publikuar raporti i Avokatit të Popullit për Dhomat e Specializuara, një raport që ngërthen shqetësime serioze. Duhet vetëm të vë theksin që bashkë me kolegun Tahiri në Komisionin për Legjislacion kemi kërkuar që Avokati i Popullit të vijë edhe të raportojë për sfidat serioze dhe problemet serioze që i inkorporon raporti i tij. Ky raport vjen menjëherë pas raportit të ekspertëve britanikë, të cilët kanë ngritur shqetësime serioze për shkeljet e të drejtave të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Deliu Kodra .

Ajo ka theksuar se raporti i Avokatit të Popullit ngre shqetësime për pavarësinë dhe mbikëqyrjen e Dhomave të Specializuara, si dhe për respektimin e të drejtave të njeriut të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Ajo ka vënë në pah edhe vlerësimin për devijimin e mundshëm të mandatit fillestar të Dhomave të Specializuara, duke ngritur çështje që lidhen me transparencën, llogaridhënien dhe garantimin e një procesi gjyqësor të drejtë.

“Veçanërisht shqetësues është vlerësimi i Avokatit të Popullit se mandati i Dhomave të Specializuara ka pësuar devijim nga qëllimi fillestar. Pra, po flasim për një dokument që ngre pikëpyetje serioze për transparencën, llogaridhënien, barazinë para palëve dhe garancitë për një gjykim të drejtë e të paanshëm. Pra, po flasim për çështje të cilat prekin drejtpërdrejt lirinë dhe dinjitetin njerëzor”, tha Deliu Kodra.

Deputetja nga radhët e PDK-së ka ngritur shqetësime edhe për mungesën e mbikëqyrjes institucionale nga Kosova, kushtet e vizitave në paraburgim, barazinë e palëve në proces dhe qasjen e mbrojtjes në materialet e përdorura si prova, veçanërisht ato me origjinë nga Serbia.

“Dhomat e Specializuara nuk i janë nënshtruar kontrollit demokratik nga institucionet e Kosovës, ndonëse janë themeluar mbi bazën e vendimit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës. Institucionet tona, si rrjedhojë, nuk kanë pasur mundësi reale për të ushtruar mbikëqyrje, monitorim dhe llogaridhënie mbi funksionimin e tyre. Raporti evidenton shqetësime për respektimin e jetës private dhe familjare gjatë vizitave në paraburgim. Po ashtu serioz është edhe shqetësimi për barazinë e palëve dhe kohën në dispozicion të mbrojtjes. Çështja tjetër që kërkon vëmendje të veçantë dhe që duhet të sqarohet është nëse mbrojtjes i është ofruar qasje e plotë në informacione mbi origjinën dhe besueshmërinë e materialeve, veçanërisht atyre të cilat kanë ardhur nga Serbia”, ka thënë ajo.

Deliu Kodra ka kërkuar që shqetësimet e paraqitura në raport të shqyrtohen nga Kuvendi dhe institucionet përgjegjëse, duke theksuar se angazhimi për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së duhet të mbështetet në argumente profesionale dhe veprime institucionale.

“Prandaj, këto konstatime kërkojnë përgjigje të argumentuar. Kur institucioni kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ngre shqetësime të kësaj natyre, ky Kuvend e ka për detyrë t’i shqyrtojë ato dhe të kërkojë veprim nga institucionet përgjegjëse. Të nderuar kolegë deputetë, për Partinë Demokratike të Kosovës, drejtësia për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbetet një përgjegjësi e përhershme. Kjo përgjegjësi kërkon punë të organizuar, argumente profesionale dhe angazhim shtetëror të vazhdueshëm”, ka thënë ajo.

Ajo ka kërkuar që Kuvendi dhe Qeveria të mbështesin një mekanizëm profesional dhe të pavarur për monitorimin e procedurave në Dhomat e Specializuara, duke përmendur të drejtat procedurale të ish-krerëve të UÇK-së dhe pritjet e familjeve të tyre ndaj institucioneve të Kosovës.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë plotësisht të drejtë në respektimin e plotë të garancive të tyre procedurale. Familjet e tyre kanë të drejtë të presin që institucionet e Kosovës të përmbushin detyrën e vet me seriozitet dhe vendosmëri. Prandaj, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkojmë që ky Kuvend dhe Qeveria të mundësojnë mbështetjen e një mekanizmi profesional dhe të pavarur për monitorimin e procedurës pranë Dhomave të Specializuara, në përputhje të plotë me kornizën ligjore dhe garancitë për pavarësi të gjyqësorit” , tha Deliu Kodra.

Në fund, deputetja ka kërkuar që shqetësimet e dokumentuara t’u përcillen mekanizmave ndërkombëtarë, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, me qëllim të vlerësimit të pavarur dhe respektimit të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Parimi i parë dhe themelor i ndërtimit të demokracisë në një vend është llogaridhënia, dhe karshi këtij parimi duhet secili institucion të sillet me përgjegjësi të plotë. Në këtë rast, edhe Dhomat e Specializuara duhet t’i respektojnë parimet demokratike dhe ato kushtetuese të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo. /RTKlive

Read Previous

Përleshje fizike mes deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë

Read Next

Shqipe Selimi: Serbia nuk mund të kërkojë në Kosovë të drejta që nuk u ua njeh shqiptarëve brenda kufijve të saj