Kryeministri Kurti kërkon statusin e kandidatit për Kosovën në BE
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se tani është koha që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të hapen negociatat për anëtarësim.
Në prag të fillimit të Samitit të Procesit të Berlinit, Kurti në një deklarim para medieve të pranishme në Budvë tha se Kosova i përmbush kriteret demokratike dhe institucionale për të avancuar në rrugën drejt integrimit evropian.
“Kosova është një shoqëri liberale dhe barabartë. Kemi funksionalitet demokratik, kemi stabilitet institucional, kemi rritje ekonomike. Tani është koha që vendi ynë të marrë statusin e kandidatit dhe të hapë negociatat për hyrjen në BE. Për këtë do të bëj thirrje sot dhe çdo ditë kundrejt të gjithë liderëve të BE-së që të kërkojnë opinionin nga Komisioni Evropian në lidhje me këtë çështje”, deklaroi Kurti.
Ai foli edhe për nevojën e përmbushjes së zotimeve të Samitit të Londrës të vitit 2018, sa i përket drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.
Ai theksoi se në Kosovë janë ende mbi 1 mijë e 500 persona të pagjetur, ndërsa përmendi edhe zhvarrosjen e 23 trupave në komunën e Zubin Potokut.
“Shpresoj që të mund të kthejmë zotimet që janë bërë në Samitin e Londrës në vitin 2018 për sa i përket drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës, si dhe për zbulimin e personave të pagjetur. Janë mbi 1,500 persona të pagjetur në vendin tim. Së fundmi, në komunën veriore të Zubin Potokut kemi zhvarrosur 23 trupa, trupa të shqiptarëve që janë vrarë nga forcat serbe në prill të vitit 1999”, tha Kurti.
Kryeministri u shpreh optimist për të ardhmen e Kosovës, duke theksuar përkushtimin e vendit ndaj vlerave të Bashkimit Evropian, sundimit të ligjit, punësimit dhe krijimit të mundësive për të rinjtë.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit evropian dhe të qëndrimit kundër ndikimit të Kremlinit.
Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit mbahet sot në Miloçer të Budvës në kuadër të përmbylljes së kryesimit malazez të këtij procesi, me fokus bashkëpunimin rajonal dhe avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.
Në mesin e pjesëmarrësve janë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Pjesë e samitit do të jetë edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila gjatë qëndrimit në Mal të Zi do të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve dhe udhëheqës politikë të vendit. /RTKlive