​OKB: Mbrojtja e ekosistemeve të botës kërkon 384 miliardë dollarë në vit

Investimet në mbrojtjen dhe menaxhimin më të mirë të ekosistemeve botërore duhet të arrijnë në 384 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2025, në mënyrë që të mbrohemi nga kërcënimet e ndryshimeve klimatike dhe humbja e burimeve natyrore, njoftoi sot Organizata e Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e mjedisit.

Ky është më shumë se dyfishi i nivelit aktual të investimeve.

Kjo llogaritje e OKB-së do të paraqitet në një samit të biodiversitetit që fillon javën e ardhshme në Montreal, ku vendet do të përpiqen të bien dakord për të mbrojtur natyrën dhe kafshët e egra nga humbja dhe degradimi i mëtejshëm i florës dhe faunës dhe peizazheve.

Aktualisht, 154 miliardë dollarë shpenzohen çdo vit, kryesisht nga qeveritë, për veprimet për mbrojtjen dhe menaxhimin më të mirë të ujit, tokës, ajrit dhe kafshëve të egra, të njohura si “zgjidhje të bazuara në natyrë”, sipas një raporti të Programit të Mjedisit të OKB-së (UNEP).

“Fondet do të duhet të rriten disa herë nëse duam të trajtojmë krizën e trefishtë të degradimit – toka, klima dhe natyra,” tha Ivo Mulder, kreu i njësisë së financimit të klimës në UNEP.

Ai deklaroi se “rreth 50 për qind e prodhimit të brendshëm bruto global (GDP) varet nga ekosistemet e shëndetshme dhe mirëfunksionale, kështu që kjo nuk duhet të jetë një barrë shumë e rëndë edhe nëse po kalojmë nëpër kriza të shumta” si lufta në Ukrainë dhe rritja e inflacionit.

Raporti vë në dukje se qeveritë shpenzojnë 500 miliardë deri në 1 trilion dollarë në vit për subvencione potencialisht të dëmshme për peshkimin, bujqësinë dhe lëndët djegëse fosile.

Më shumë se 100 vende u zotuan vitin e kaluar në një marrëveshje të nënshkruar në qytetin kinez të Kunming për të punuar për të mbrojtur biodiversitetin, por nuk arritën të bien dakord për çështje të tilla si financimi për të parandaluar përdorimin e kotë të burimeve në vendet më të varfra.

Takimi i këtij viti ishte menduar të mbahej në Kunming, por vendi u ndryshua për shkak të politikës së Kinës për zero-covid. Kina do të mbetet kryesuese e samitit.

Udhëheqësit botërorë nënshkruan për herë të fundit një pakt biodiversiteti në Aichi, Japoni, në vitin 2010, por asnjë nga synimet që ata vendosën për të ngadalësuar humbjet e ekosistemit deri në vitin 2020 nuk është arritur.

Sipas një raporti të UNEP-it, aktorët e sektorit privat kontribuojnë vetëm me 17 për qind të financimit për zgjidhjet e bazuara në natyrë, pavarësisht angazhimit të tyre për të reduktuar emetimet e karbonit dhe shpyllëzimin. /KosovaPress

Read Previous

Szunyog: Jam tmerruar nga vrasja e mbrëmshme

Read Next

Vitin e ardhshëm një numër rekord njerëzish do të kenë nevojë për ndihmë humanitare