​“Ligji anti-mafia ndihmon sistemin e drejtësisë në konfiskim të pasurisë“

Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu e ka mirëpritur miratimin e koncept-dokumentit të ligjit për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme. Sipas tij, një ligj i tillë lehtëson në masë të madhe punën e Prokurorisë dhe gjithë zinxhirit të drejtësisë për konfiskim të pasurisë të kundërligjshme.

Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar krijimin e një agjencioni të veçantë të pavarur që do hetojë këto raste, por Fazliu thotë se nuk është ithtar i krijimit të mekanizmave të rinj.

Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu në një intervistë, ka deklaruar se në vitin 2019 prej rreth 9 milionë euro pasuri të ngrirë apo sekuestruar është konfiskuar vetëm 1 milion euro pasuri, ndërsa në vitin 2020 prej rreth 20 milionë euro pasuri të ngrirë apo të sekuestruar, janë konfiskuar rreth 500 mijë euro.

Fazliu lidhur me koncept-dokumentin e Ligjit për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme thotë se si koordinator e ka kërkuar tash e shtatë vite.

Sipas tij, ky ligj i cili njihet si ligji anti-mafia do të ndikojë që ndjeshëm të rritet shifra e konfiskimit përfundimtar.

Lidhur me idenë e krijimit të një agjencioni të pavarur që do hetonte personat ku dyshohet se nuk kanë përputhje të pasurisë me të ardhurat,Fazliu i cili është edhe Prokuror në zyrën e Kryeprokurorit thotë se nuk është ithar i krijimit të mekanizmave të rinj.

Por shton se grupi punues duhet ta zgjedhë se cila është mënyra më efikase në trajtimin e këtyre çështjeve.

Sipas KoordinatoritKombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, ky ligj nuk shkel asnjë nen të Kushtetutës së Kosovës dhe as Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, meqenëse konfiskimi konsiderohet i natyrës civile dhe jo i procedurës penale.

Derisa është thënë se edhe qytetarët e Kosovës mund t’i nënshtrohen këtij ligji, Fazliu deklaron se duhet një standard më i lartë i të provuarit për qytetarët sesa te personat zyrtarë.

Fazliu thotë se për vitin 2021 janë ngrirë 1.5 milion euro, por që ende nuk kanë informata se në këtë tre mujor ka konfiskim.

Ndërsa, në vitin 2019 prej rreth 9 milionë euro pasuri të ngrirë apo sekuestruar është konfiskuar vetëm 1 milion euro pasuri, ndërsa në vitin 2020 prej rreth 20 milionë euro pasuri të ngrirë apo të sekuestruar, janë konfiskuar rreth 500 mijë euro.

Sipas tij, nuk bëhet fjalë për asnjë person të profilit zyrtar por të gjithë janë qytetarë që janë kryer vepra penale.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar se gjatë javës së ardhshme do të formohet grupi punues për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Më 13 prill, Qeveria e Kosovës miratoi koncept-dokumentin që i hap rrugë draftimit të një ligji të veçantë për konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Ligji ri u tha se do të mundësojë konfiskimin e pasurisë së paligjshme edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues./KosovaPress

Read Previous

10 organizata të shoqërisë civile i dërgojnë letër Kurtit

Read Next

Edhe një shtet hap dyert e stadiumit për ndeshjet e EURO 2020