​Largimi i notimit diferencial për nxënësit, qëndrime pro dhe kundër

Paralajmërimi për heqjen e notimit diferencial për nxënësit e klasave 1 deri në 5, ka ngjallur dilema se cili do të jetë ndikimi që mund të ketë tek nxënësit.

Ata që e vlerësojnë si hap pozitiv dhe që do të hiqte stresin e nxënësve për notat, kanë dilemat se si një gjë e tillë do të menaxhohej pastaj në klasën e 6-të, kur nxënësit do të përballeshin edhe me notim, dhe me mësim lëndor.

Ndërsa, ata që janë kundër largimit të notave, thonë se kjo do të ndikonte në uljen e motivimit të nxënësve për mësim.

Aktualisht në vendin tonë nxënësit e klasave 1 dhe 2 nuk vlerësohen me notim diferencial, por vlerësohen me komente konstruktive të standardizuara kundrejt rezultateve të të nxënit.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nuk kanë kthyer përgjigje se a kanë një plan konkret rreth largimit të notimit diferencial për nxënësit e ciklit fillor dhe kur pritet të realizohet një gjë e tillë.

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, thotë se nga MASHTI kërkojnë që të mos merren vendime pa një analizë të thellë, në mënyrë që të mos dëmtohen nxënësit me vendime dhe strategji eksperimentale.

Një reformë e tillë, sipas tij, duhet të bëhet me një strategji konkrete e cila duhet të implementohet në disa faza kohore dhe jo të jetë aty për aty.

Reshiti potencon se asnjë veprim që prek nxënësit nuk do të ketë sukses nëse injorohet Këshilli i Prindërve të Kosovës, për çka edhe fton MASHTI-në që asnjë vendim të mos merret pa u konsultuar me ta.

E një ide të tillë që të largohet notimi diferencial e përkrahin edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, megjithatë kanë dilemat e tyre se çfarë ndikimi do të kishte tek nxënësit kur të njëjtit do të dalin në klasën e 6 dhe të përballeshin edhe me notim edhe me mësim lëndor.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, thotë se heqja e notimit do të largonte stresin e nxënësve të cikli të ulët për notat.

Në anën tjetër, njohës të fushës së arsimit janë të ndarë rreth ndikimit që do të kishte largimi i notimit diferencial për nxënësit e ciklit fillor.

Drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, thotë se largimi i notimit diferencial është një reformë e thellë e sistemit arsimor, por që një gjë e tillë deklaron se mund të ndikojë në uljen e përkushtimit të nxënësve për të mësuar.

Krejt ndryshe mendon njohësi i çështjeve të arsimit Argjend Osmani, i cili thotë se largimi i notimit diferencial është një hap i qëlluar, por që thotë se një vendim i tillë duhet të përcillet me investime masive në infrastrukturën shkollore dhe në zhvillimin profesional të mësimdhënësve.

Se largimi i vlerësimit tradicional do të ketë ndikim pozitiv tek nxënësit e thotë edhe Arian Musliu, psikolog nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore.

Një gjë e tillë, ai shprehet se e largon konkurrencën që shtyhet nga prindërit që fëmijët e tyre të kenë të gjitha notat 5, derisa potencon se heqja e notave nuk do të ketë ndikim në uljen e motivimit të nxënësve për mësim.

Musliu thotë se më pastaj mësimdhënësit do të duhej t’i përgatisnin nxënësit të cilët kalojnë nga klasa 5 në të 6 me idenë se tashmë do të vlerësohen me notë.

Çështja e notimit për klasat 1 dhe 2 është rregulluar me udhëzim administrativ në vitin 2016, ku në nenin 3 pika 3.7.2 thuhet se nxënësit e shkallës I(klasa para fillore dhe klasat 1-2) nuk vlerësohen me notë numerike por vlerësohen me komente konstruktive të standardizuara kundrejt rezultateve të të nxënit./KosovaPress

Read Previous

​Kosova zhvillon sot ndeshje historike kundër Malit të Zi

Read Next

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj udhëton për vizitë zyrtare në Kroaci