​Lajçak vjen nesër me këshilltarët e Scholz dhe Macron, njohësit: Po shtohet presioni mbi Prishtinën e Beogradin

Ka një angazhim në rritje të faktorit ndërkombëtar për të përmbyllje sa më të shpejtë të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, thonë profesorë e njohës të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Emërimi i dy këshilltarëve nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron që të ndihmojnë në dialog, po shihet si mundësi e mirë për intensifikim dhe seriozitet më të madh në këtë proces. Sipas tyre, vizita e Miroslav Lajcak të premten në Kosovë dhe në Serbi, ka për qëllim edhe shtimin e presionit mbi palët për një zgjidhje në çështjen e targave.

Profesori Arben Fetoshi thotë se ka një vetëdijesim të rikthimit të vëmendjes ndërkombëtare në këtë çështje, me qëllim që ajo të përmbyllet sa më shpejtë.

Ai thotë se emërimi i dy këshilltarëve nga kancelari Scholz dhe presidenti francez Macron nënkupton përfshirje të drejtpërdrejtë të dy liderëve evropianë.

Fetoshi: Ka rritje të interesimi të ndërkombëtarëve për të përmbyllur sa më shpejtë procesin e dialogut

“Natyrisht edhe vizita e paralajmëruar e që është e disata herë tashmë, jo vetëm e Lajcakut, edhe zotit Escobar, ardhja e tij në Prishtinë së bashku me dy të sapoemëruarit nga Berlini dhe Parisi, tregon për interesimin në rritje të fuqive evropiane në këtë rast të Bashkimit Evropian që të shtojnë presionin mbi palët me qëllim që së pari të krijohet një zgjidhje e re në kuadër të procesit të targave sepse kjo tashmë është çështja praktike e cila kërkon zgjidhje, pas dokordimit për implementimin e marrëveshjes për dokumentet personale, dhe më pas natyrisht jam i bindur që kemi të bëjmë me një rritje të interesimit të faktorit ndërkombëtar për ta përmbyllur sa më shpejtë çështjen e dialogut e cila duhet të përmbyllet me marrëveshjen ligjërisht të obligueshme dhe gjithëpërfshirëse me siç po thuhet njohjen reciproke në qendër të saj,” thotë Fetoshi.

Edhe sipas profesorit të shkencave politike, Dritëro Arifi, Bashkimi Evropian është rikyçur në mënyrë intensive në procesin e dialogut.

Arifi: Lajcak do të ketë kërkesa për çështjen e targave

“Do të ketë kërkesa eksplicite, sidomos për çështjen e targave që ndoshta të shkohet më butë apo të kërkohet afat kohor derisa në Serbi të gjendet një zgjidhje për çështje përfundimtare, sepse po besoj që këto çështje do të lihen të gjitha në një marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke, nëse nuk ka zgjidhje për momentin… Bashkimi Evropian është rikyç sidomos Franca dhe Gjermania në dialog, në mënyrë intensive, tash drejtpërdrejt me angazhimin e këshilltarëve të dyja vendeve, dhe pres që do të ketë një dinamizim të ri, një intensifikim dhe seriozitet më të madh në dialog”, thotë Arifi.

Të premten në Kosovë do të qëndrojnë për vizitë emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, i shoqëruar nga këshilltarët, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, të emëruar nga kancelari gjerman dhe presidenti francez.

Në Kosovë është konfirmuar takimi me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa të njëjtit do të vizitojnë edhe Beogradin ku do të priten nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

“Ata së bashku do të vizitojnë Beogradin dhe Prishtinën dhe do të zhvillojnë takime të ndara me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti. Qëllimi është të diskutohet se si të çohet Dialogu përpara”, ka thënë për KosovaPress zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

Më 4 shtator, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz dërguan letër për kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë, ku ndër te tjera u bënë thirrje dy liderëve që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, që sipas tyre çojnë drejt përparimit të dialogut Kosovë-Serbi. /KosovaPress/

Read Previous

‘DailyMail’ i kushton artikull koncertit të Rita Orës: Tirana është shtëpia e saj së bashku me Prishtinën dhe Londrën

Read Next

DW: BE-ja do të kufizojë çmimet e energjisë elektrike dhe të gazit