​Kurti: Duam gjykata normale në Kosovë e jo gjykata speciale jashtë Kosovës

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në konferencën me gazetarë në Tiranë ka folur edhe për Gjykatën Speciale. Kurti ka thënë se në qeverisjen e re të drejtuar nga ai do të “rregullojmë imazhin e Kosovës duke sjellë drejtësi për qytetarët dhe me gjykatat tona normale do t’i trajtojmë të gjitha pretendimet që bëhen ndaj kujtdo qoftë, kurdo qoftë”.

Kurti ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër dhe nëse ka pretendime nga ndërkombëtarët për individë të UÇK-së, do të ketë sistem të ri të transformuar të drejtësisë në Kosovë që do t’i trajtojë të gjithë ato raste.

Në konferencën për media të mbajtur para selisë së Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Kurti ka thënë se UÇK ka bërë luftë të drejtë dhe të pastër.

Kurti: Do të kemi një sistem të transformuar të drejtësisë

“UÇK ka bërë luftë të drejtë, ka bërë luftë të pastër, nëse ka pretendime nga ndonjë ndërkombëtar për individë të UÇK-së ne do të kemi një sistem të ri të reformuar, të transformuar madje, të drejtësisë, që do t’i trajnojë me prioritet dhe seriozitet të gjitha ato raste. Ne jemi bashkë me luftëtarët e UÇK-së, ata janë me popullin e Kosovës, prej 20 mijë veteranë të luftës që kishim, 1% tyre, rreth 200 veta janë në politikë, për ta mund të mos jetë përshtypja e mirë e përgjithshme, por 99% të veteranëve të luftës së UÇK nuk janë në politike dhe nuk njihen publikisht, kanë bërë luftën e sot eventualisht janë klasë e mesme sepse një pjesë e mirë e tyre vazhdojnë të ngelin të varfër”, tha ai.

Lideri i partisë cila i fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, Albin Kurti ka thënë se Gjykata Speciale është një etnike dhe e imponuar.

Kurti: Dëshirojmë të kemi gjykata normale në Kosovë e jo Gjykata Speciale jashtë Kosovës

“Gjykata Speciale në Hagë është gjykatë e cila është imponuar prej jashtë, është gjykatë një etnike, merret vetëm me luftëtarët e UÇK-së dhe është instaluar për shkak të votimit të gabueshëm e tejet të dëmshëm më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne dëshirojmë të kemi gjykata normale në Kosovë e jo gjykata speciale jashtë Kosovës, andaj me qeverisjen tonë të re, me procesin e vetingut, me departamentet e gjykatat e reja në fushën e punës, administratës dhe atë komerciale, edhe do të zvogëlojmë atë gjysmë milionë lëndë që është pluhurosur në sirtarët e Pallatit të Drejtësisë por gjithashtu edhe do të rregullojmë imazhin e Kosovës duke sjellë drejtësi për qytetarët dhe me gjykatat tona normale do t’i trajtojmë të gjitha pretendimet që bëhen ndaj kujtdo qoftë, kurdo qoftë”, tha Kurti.

Konferenca e Kurtit në Tiranë është mbajtur në kuadër të vizitës së tij treditore në Shqipëri ku ka shkuar t’i mbështesë tre kandidatë që garojnë për deputetë në zgjedhjet që do të mbahen më 25 prill në Shqipëri.

Read Previous

“Deponi” mbeturinash në paralagjen Dardania

Read Next

Ushtrime të thjeshta të jogës për një fytyrë rinore