​KQZ thotë se zgjedhjet po zhvillohen në kushte të rregullta dhe pa probleme

Procesi i votimit për zgjedhjet e 7 qershorit është duke u zhvilluar në kushte të rregullta dhe pa probleme, tha kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, raporton KosovaPress.

Ai tha se, duke u bazuar në të dhënat preliminare nga 97 për qind e vendvotimeve, deri në orën 11:00 kanë votuar 162 mijë e 438 votues apo 8,29 për qind, ndërkaq në të njëjtën kohë për zgjedhjet e fundit parlamentare të 28 dhjetorit të vitit 2025 kanë votuar 8,27 për qind apo 165 mijë e 404 votues, duke u bazuar në të dhënat nga rreth 94 për qind e vendvotimeve.

“Po ashtu, duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga më shumë se 97% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 162 mijë e 439 votues apo 8,29% nga 1 milionë e 959 mijë e 962 votues. Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, sipas të dhënave nga rreth 94% e vendvotimeve, kishin votuar 8,27% apo 165 mijë e 404 votues nga 1 milionë e 999 mijë e 204 votues”, tha ai.

Sipas tij, deri tani s’ka ndonjë problem që do të cenonte mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor. Ai bëri të ditur se KQZ ka vënë në funksion dhomën operative, ku janë të përfshirë zyrtarë të KQZ-së, si dhe përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës dhe KEDS-it.

“Ju njoftojmë se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës po zhvillohet sipas planifikimeve në të gjitha komunat e vendit. Sipas të dhënave të raportuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, deri në këtë kohë, votimi është duke u zhvilluar në kushte të rregullta dhe pa probleme që do të cenonin mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor. Votimi në vendvotime po vazhdon në përputhje me procedurat e përcaktuara zgjedhore”, përfundoi ai. /KosovaPress/

Read Previous

KQZ: Sot nuk lejohen vërtetime mjekësore, rastet e tilla raportohen në Polici

Read Next

Laura Pula u bën apel qytetarëve të mos e fotografojnë votën