​Interesim minimal i trajnerëve për ta marrë drejtimin e Kosovës në boks

Përfaqësuesja e Kosovës në boks që nga 19 gushti i vitit të kaluar, ka mbetur pa kryetrajner. Kjo pasi ish-përzgjedhësi, Besim Brahimi dha dorëheqje duke përmendur disa arsye, si mungesa mbështetjes financiare, mosmarrëveshje me Bordin e Federatës së Boksit, por edhe ndërhyrje të drejtuesve të federatës në selektimin e sportistëve që marrin pjesë në garat ndërkombëtare.

Zëvendësimi i Brahimit nuk është bërë ende, ani pse Federata e Boksit së fundi ka shpallur konkurs për ta gjetur trajnerin e ri të Kosovës. Edhe pas hapjes së këtij konkursi, interesimi ka qenë fare i vogël nga ana e trajnerëve vendor.

Sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, ka konfirmuar për KosovaPress, se në konkurs janë paraqitur vetëm tre kandidat dhe se kjo, sipas tij, është për keqardhje.

“Deri më tani më vije keq që kandidaturën e kanë sjellë vetëm tre trajnerë, Musli Zymeri, Faton Xhakli dhe Mehmet Haxhani. Më vjen shumë keq për arsye ne kemi 33 trajnerë të Kosovë me licencë botërore, një yll, dhe pse të mos të konkurrojnë edhe ata sepse sa më e gjerë të jetë konkurrenca, atëherë edhe konkurrimi është më i fortë por nuk e kanë parë të arsyeshme të konkurrojnë dhe nga këta trajnerë që kanë konkurruar, njërin prej tyre do të përzgjedhin si selektor”, ka thënë Demolli.

Mungesa e një page të rregullt konsiderohet të jetë njëra nga arsyet e mungesës së interesimit nga ana e kandidatëve për ta marrë këtë pozitë. Por, ish-trajneri i Kosovës, Besim Brahimi, ka gjetur vërejtje edhe në mënyrën se si punohet brenda kësaj federate.

“Me këtë kryesi të Federatës së Boksit të Kosovës, jo të gjithë, por me disa njerëz aty nuk mund të kem bashkëpunim për shkak se përzihen në disa tema që nuk iu takojnë edhe i kanë ofruar disa njerëz aty që nuk e kanë vendin, do huligana të Evropës në bord te federatës dhe me njerëz të tillë nuk çohet boksi përpara. Unë vetëm çka humbi prej boksit, e dua boksin shumë me zemër sepse janë 25 vite që jam në boks…(04:19) Nuk mund ta dërgosh dikë 20 apo 30 ditë trajneri dhe të mos i japësh asnjë lek, t’ia paguash ditën 10 apo 20 euro mëditje. Federata duhet ta ketë një kryesi të mirë për të pasur shumë sponsora që mos të ketë probleme selektori ta lë familjen e vet keq dhe të shkojë pas garave e sportistëve. Besoj që edhe këta që bëhen shumë shpejtë do të japin dorëheqje sepse është problemi t’i qëndrohet kësaj pune”, ka thënë Brahimi.

Duke parë këtë mosinteresim të trajnerëve vendor, Demolli ka zbuluar se kanë kërkuar nga Federata Botërore e boksit që ta dërgojnë një trajner të huaj në Kosovë.

“Ne e kemi paraparë me Ministrinë e Sportit që të sjellim edhe një trajner nga jashtë për një kohë, gjashtë muaj deri në një vit që të jemi sa më të aftë dhe më të përgatitur për boksierët seniorë të cilët i kemi kandidat edhe për kualifikimet për Lojërat Olimpike, por edhe në të ardhmen për kampionatet botërore dhe evropiane…Do të jetë një trajner i cili ka, jo një yll, por tre yje, atë do ta kërkojmë nga Federata Botërore, na ka premtuar që do të na sjellë një trajner që të shkollohen dhe të mbajë edhe kurse trajnerëve gjatë kësaj kohë dhe besoj që edhe trajnerët tanë do të mësojnë nga ky trajner diçka më të veçantë”, ka theksua ai.

Vendimi për emërimin e trajneri të ri të Kosovës në boks pritet të merret brenda pak ditëve. /KosovaPress/

Read Previous

Pensionistët ndihen të neglizhuar, kërkojnë rritje të pensioneve

Read Next

Begaj: Arbëreshët janë pjesë e rëndësishme e kujtesës së kombit tonë