​Greqia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por përkrah dialogun dhe vizat

Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, ka kërkuar nga palët e përfshira në dialogun Kosovë – Serbi, që të intensifikojnë përpjekjet për arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme.

Në një konferencë për media, pas takimit që pati me ministren e jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz, Dendias tha se një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit do të krijonte stabilitet në Ballkan.

“Ne e përkrahim plotësisht nisjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Po e shfrytëzoj prezencën time sot për t’u kërkuar të gjitha palëve që të intensifikojnë përpjekjet për një marrëveshje të qëndrueshme ligjore. Një marrëveshje, e cila do të stabilizonte tërë rajonin dhe do ta sillte atë më afër familjes evropiane. Jam në kontakt të vazhdueshëm me mikun tim, përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe Greqia në mënyrë aktive mbështet këtë nismë”, tha ai.

Në anën tjetër, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz, tha se njohja dhe respektimi i Pavarësisë së Kosovës nga të gjithë anëtarët e BE-së është domosdoshmëri për stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan.

“Njohjen dhe respektimin e pavarësisë sonë nga të gjithë anëtarët e BE-së, përfshirë Greqinë, e konsiderojmë si një kontribut thelbësor për stabilitetin e qëndrueshëm në Ballkan. Pavarësia e Republikës së Kosovës është një fakt i patjetërsueshëm dhe sa më parë që pranohet një fakt i tillë, aq më shpejtë sigurohet një perspektivë e qëndrueshme për rajonin, por edhe Serbinë. Por, duke pasur parasysh faktin se Greqia Pavarësinë e Kosovës e sheh ende nga një këndvështrim tjetër, ne riafirmojmë se me Greqinë dhe me partnerë të tjerë të BE-së dhe jashtë saj do ta vazhdojmë intensivisht dialogun edhe rreth kësaj çështje. Shpresojmë sigurisht që argumentet tona në të ardhme të afërt të bindin partnerët tanë dhe të kalojmë nga kjo fazë pasigurie për rajonin në një fazë të sigurisë dhe parashikueshmërisë”, deklaroi ajo.

Tutje, Gërvalla bëri të ditur se me homologun grek po ashtu janë pajtuar që të avancohet statusi i Zyrës së Kosovës në Athinë, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Greqisë janë pajtuar që si një hap i mëtejmë drejt një shkëmbimi të ngushtë dhe të dendur të ngrihet statusi i Zyrës së Athinës në Prishtinë nga një zyre e thjeshtë ekonomike në një zyre të ashtuquajtur interesi me qasje tashmë jo vetëm në çështje ekonomike, por edhe në fusha tjera duke përfshirë ato politike”, shtoi ajo.

Në konferencën e sotme për media, diplomati grek Dendias ripërsëriti edhe përkrahjen që ky shtet po i jep përpjekjeve të Kosovës për liberalizim të vizave.

“Ne besojmë se Ballkani Perëndimor i takon Evropës dhe duhet të përbëjë pjesë integrale të Bashkimit Evropian. Në këtë stad, ne kemi qenë gjithmonë në përkrahje të liberalizimit të vizave për kosovarët, sepse keni përmbushur standardet e kërkuara në fusha të ndryshme. E kemi shprehur këtë qëndrimin në Këshillin e Ministrave dhe do të vazhdojmë t’ju përkrahim”, tha ai.

Për liberalizimin e vizave foli edhe Gërvalla, e cila shprehu mirënjohjen e saj për rolin e Greqisë në këtë proces. Ajo, po ashtu tregoi se do të ketë intensifikim të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Kolegun grek Dendias e sigurova se bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Greqisë e shohim si një prej shtyllave kryesore të bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy vendeve tona. Po ashtu, falënderova ministrin e jashtëm për mbështetjen që Greqia ka dhënë në procesin e liberalizimit të vizave, shoqëruar me lutjen për intensifikimin e përpjekjeve të përbashkëta për përfundimin e këtij procesi, i cili qytetarët e Kosovës po i mban të izoluar padrejtësisht”, deklaroi tutje Gërvalla – Schwarz.

Krejt në fund të konferencës së sotme, diplomati grek Dendias theksoi se Greqia do të vazhdojë të mbështesë misionin paqeruajtës të NATO-së në Kosovë, KFOR.

Dendias, përveç Gërvallës, po zhvillon takime edhe me liderë të tjerë institucional në Kosovë, nisur nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Read Previous

Meliza Haradinaj-Stublla lirohet nga akuza për korrupsion

Read Next

Gjakovë, inskenoi kidnapimin e vet për t’ia marrë 5 mijë euro nënës së tij, dënohet me 900 euro