​Edi Rama: Adem Jashari, heroi që u bë flamur i lirisë dhe krenarisë kombëtare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përkujtuar sot 70-vjetorin e lindjes së komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, duke e cilësuar atë si një simbol të pakrahasueshëm të sakrificës dhe identitetit kombëtar.

Në një postim publik, Rama theksoi se data e lindjes së Jasharit, që përkon me Ditën e Flamurit, nuk është thjesht rastësi historike, por një moment që lidhet drejtpërdrejt me rrugën e lirisë së popullit shqiptar.

“Sot kujtojmë edhe 70-vjetorin e lindjes së Adem Jasharit, heroit që lindi në Ditën e Flamurit dhe u kthye në flamur i sakrificës, lirisë dhe krenarisë kombëtare”, ka shkruar kryeministri Rama, duke shoqëruar mesazhin me simbolet dhe shqiponjën dykrenare.

Adem Jashari, i rënë së bashku me familjen e tij në mars të vitit 1998, mbetet figura qendrore e rezistencës së armatosur në Kosovë dhe një shtyllë referimi e UÇK-së për unitetin dhe aspiratat mbarëkombëtare.

Mesazhi i Ramës vjen në ditën e shënuar të 28 Nëntorit, kur shqiptarët festojnë Pavarësinë e Shqipërisë dhe Ditën e Flamurit, duke theksuar edhe më tej lidhjen e fortë shpirtërore mes dy shteteve shqiptare dhe figurës së komandantit legjendar të Prekazit. /KosovaPress/

Read Previous

Kosova ngritet për dy pozita në renditjen e UEFA-s

Read Next

Prof. Dr. Demaçi: Për një shëndet të mirë, njeriu duhet ta ketë një harmoni shpirtërore