​Del Piero kritikon Juventusin pas humbjes nga Interi

Legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero e ka marrë me shqetësim të madh situatën tek “Zonja e Vjetër” pas humbjes së tyre kundër Interit, por këmbëngul se mungesat duhet të merren parasysh.

“Bianconerët” humbën 2-0 kundër Interit në “Giuseppe Meazza” të Dielën dhe tani janë shtatë pikë larg kryesuesit të tabelës së Serie A, Milanit.

“Juventus u fik për të gjithë ndeshjen, mendoj se kjo është gjëja më shqetësuese,” tha ish-kapiteni i Juventusit për “Sky Sport”.

“Ndodhi edhe në të kaluarën, ata mund të mos luajnë mirë në pjesën e parë, por ata gjithmonë arrinin të rikuperohen në pjesën e dytë,” shtoi ai.

“Sidoqoftë, Juventusi gjithmonë kishte fituar ndeshje të rëndësishme këtë sezon, mendoni për ndeshjet kundër Milanos dhe Barcelonës.”

“Bianconerët” ishin pa të lënduarit Paulo Dybala dhe Matthijs de Ligt ndërsa Juan Cuadrado dhe Alex Sandro janë pozitivë me Covid-19.

“As Andrea Pirlo as Giorgio Chiellini nuk folën për mungesat,” vuri re Del Piero.

“Ato të Cuadrados dhe Alex Sandros janë të rëndësishme dhe fakti që ata nuk u përmendën do të thotë se grupi është solid dhe i përqendruar dhe lojtarët janë të vetëdijshëm se duhet të kalojnë nëpër këto humbje të rënda për t’u përmirësuar.”, theksoi në fund Del Piero. /KosovaPress

Read Previous

Sot nis gjysmëvjetori i dytë i procesit mësimor

Read Next

Gjendet i vdekur i zhdukuri nga Vitia