​CNN: Familjet e futbollistëve iranianë kërcënohen me burg nëse nuk këndojnë himnin kombëtar

Familjarët e ekipit iranian të futbollit në Kupën e Botës kërcënohen me burgim dhe tortura nëse lojtarët nuk këndojnë himnin kombëtar në ndeshjen e sotme kundër SHBA-së, tha një burim i përfshirë në sigurinë e lojërave.

Pasi lojtarët e Iranit refuzuan të këndonin himnin kombëtar në ndeshjen e tyre hapëse të Kupës së Botës kundër Anglisë më 21 nëntor, një burim i tha CNN se lojtarët ishin të ftuar në një takim me anëtarët e Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane (IRGC).

Burimi tha se futbollistëve iranianë iu tha se familjeve të tyre do të përballeshin me dhunë dhe tortura nëse nuk këndonin himnin kombëtar ose nuk i bashkoheshin ndonjë proteste politike kundër regjimit në Teheran.

Futbollistët kënduan himnin kombëtar para ndeshjes së dytë kundër Uellsit të premten e kaluar, të cilën Irani e fitoi 2-0.

Burimi, i cili monitoron nga afër agjencitë e sigurisë të Iranit që veprojnë në Katar gjatë Kupës së Botës, tha se dhjetëra oficerë të IRGC-së janë vendosur për të monitoruar lojtarët iranianë që nuk lejohen të përzihen me njerëz jashtë ekipit ose të takohen me të huaj.

Irani dhe SHBA takohen sot në një ndeshje vendimtare të Grupit B në Kupën e Botës. /KosovaPress/

Read Previous

Pa përkrahjen e pozitës, kalon në Komision Projektligji për Pensionet e zyrtarëve policorë

Read Next

Sunak: Ka përfunduar epoka e artë e marrëdhënieve Britani – Kinë