Pa përkrahjen e pozitës, kalon në Komision Projektligji për Pensionet e zyrtarëve policorë

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka kaluar me pesë vota për Projektligji për Pensionet e Zyrtarëve Policorë të Policisë së Kosovës dhe Punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policor.

Për miratimin e këtij Projektligji të propozuar nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, votuan anëtarët e Komisionit nga opozita, por jo edhe ata të partisë në pushtet.

Shqipe Mehmeti-Selimi, Mefail Bajqinovci e Enver Dugolli nga Lëvizja Vetëvendosje nuk i dhanë përkrahje këtij Projektligji, pasi sipas tyre nuk është paraparë në buxhetin e vitit 2023.

“Sponsorizuesi apo deputetët e PDK-së që kanë filluar këtë nismë është dashur që të merren vesh dhe të inkurajojnë edhe deputetët e PDK-së që fillimisht ta votonin marrëveshjen ndërkombëtare për financimin e një projekti për skemat sociale dhe pensionale me çka do të hapej rruga edhe Qeveria të fillojë këtë nismë për komplet skemat pensionale sepse ne që në fillim e kemi thënë, siç kemi thënë edhe do ta bëjmë edhe Ligjin për pensionim edhe për Policinë e Kosovës”, tha Dugolli.

Kryetari i Komisionit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, tha se “Qeveria brenda afatit prej 30 ditësh nuk ka paraqitur mendim për këtë propozim”.

E anëtari i Komisionit nga PDK-ja, Rashit Qalaj, tha se ky Projektligj edhe pse ka implikime buxhetore, është i nevojshëm.

“E di që ka implikime buxhetore, por është i nevojshëm. Duam përkrahjen tuaj që ta vazhdojmë frymën e bashkëpunimit. Duhet të jeni fleksibil dhe nëse kryeministri sjell një Projektligj tjetër do ta ketë përkrahjen tonë”, u shpreh ai. /Telegrafi/

Read Previous

Refuzohet mocioni i mbrojtjes së Thaçit për mundësi hetimore unike për 8 diplomatët

Read Next

​CNN: Familjet e futbollistëve iranianë kërcënohen me burg nëse nuk këndojnë himnin kombëtar