​Bislimi: Po rritet përkrahja financiare për Luginën e Preshevës

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiun, ku është diskutuar për shqetësimet e nevojat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, diskriminimin sistematik që i bëhet atyre nga institucionet qendrore e lokale të Serbisë, sidomos në fushën e arsimit dhe në lidhje me pasivizimin e adresave.

Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Luginën e të gjithë shqiptarët atje, vijon e palëkundur.

Sipas një komunikate të Qeverisë, përkrahja financiare në buxhetin e vitit të ardhshëm po rritet tutje për Luginën e Preshevës, e ku tashmë do të ndahen 3 milionë euro.

“Fondet për mbështetje financiare në dy vitet e fundit janë vënë në funksion të ruajtjes së kulturës e identitetit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, thuhet në komunikatë.

Në takim, zëvendëskryeministri Bislimi shoqërohej nga këshilltari politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ragmi Mustafi, ndërsa kryetari Lutfiu, shoqërohej nga nënkryetari i tij, Enkel Rexhepi. /KosovaPress/

Read Previous

Zelensky në SHBA, takim me Biden në Shtëpinë e Bardhë

Read Next

“Ngjitja për Kosovën”, publikohet dokumentari i alpinistes Uta Ibrahimi