​Auditimi thotë se ka lista të pritjes së pacientëve në disa klinika të QKUK-së

Në kuadër të sezonit auditues 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke kryer auditimin e performancës “Listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike”, i cili do të vlerësojë zbatimin e masave për të siguruar trajtim efikas të pacientëve në listat e pritjes nga Klinikat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe Spitalet e Përgjithshme.

Auditimi do të vlerësojë edhe procesin e shpërndarjes së burimeve njerëzore dhe materiale, si dhe mënyrën e regjistrimit dhe monitorimit të listave të pritjes.

Lista të pritjes së pacientëve ka në disa klinika të QKUK-së dhe në disa reparte të Spitaleve të Përgjithshme.

Procesi i auditimit do të fokusohet te pesë lista me gjithsej mbi 4600 pacientë. Auditimit do t’i nënshtrohet lista e pritjes me afër 1800 pacientë në Kliniken e Kirurgjisë Vaskulare, lista e pritjes me afër 1400 pacientë në Klinikën e Ortopedisë, lista e pritjes me 1000 pacientë në Kliniken e Oftalmologjisë, lista e pritjes me 400 pacientë në Klinikën e Kirurgjisë Torakale si dhe lista e pritjes nga gjashtë muaj deri në një vit në Klinikën e Radiologjisë.

Ndërsa në Spitalet e Përgjithshme listat e pritjes kryesisht janë në repartin e Radiologjisë – CT, Eho, Mamografia, Rëntgeni etj., si dhe në repartet e Kirurgjisë së Përgjithshme.

Duke ditur vështirësitë dhe sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi shëndetësor në Kosovë, përmes këtij auditimi Zyra Kombëtare e Auditimit ka për synim të bëjë vlerësimin e gjendjes dhe nëse Klinikat dhe Spitalet e Përgjithshme janë efikase në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.  

/kp/

Read Previous

Rrahmani ftohet nga Kosova për miqësoret e marsit

Read Next

Renditja tabelare në Superligën e futbollit pas 25 xhirove