Çitaku: Do të punojmë që vendimi i Speciales të përmirësohet në apel
Organizimi i Samitit të Ballkanit në Prishtinë po krijon mundësi për shkëmbimin e informatave ndërmjet përfaqësuesve të biznesit, institucioneve financiare dhe vendimmarrësve për nevojat zhvillimore të Kosovës dhe rajonit, ka thënë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, para fillimit të Samitit të Ballkanit në Prishtinë.
Në kuadër të Samitit të Ballkanit, Sesionin Plenar për transportin me temën “Lëvizja e korridorit: Rrugë, hekurudha, tunele dhe ura në Evropë”, Zeka ka vlerësuar se organizimet e tilla janë të rëndësishme për promovimin e mundësive për investime dhe diskutimin e projekteve zhvillimore.
Zeka për KosovaPress ka thënë se për Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është e rëndësishme që investitorët e huaj të kenë më shumë informata për mundësitë dhe nevojat e rajonit.
“Absolutisht po, meqenëse Prishtinës dhe Kosovës i mungojnë organizimet e tilla ku akterë të ndryshëm nga bota e biznesit, institucioneve financiare, akterë vendimmarrës nga fusha e ekonomisë bëhen bashkë dhe diskutojnë për nevojat zhvillimore. Në këtë rast jo vetëm të Kosovës, por edhe dy shteteve tjera fqinje që janë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Për vendin, për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor ekzistojnë pak informata në mesin e investitorëve të huaj dhe çfarëdo konference si kjo e Samitit të Ballkanit natyrisht që mundësojnë shkëmbimin më të mirë të informatave me gjitha këto grupe të hisedarëve që përmenda”, tha Zeka.
Zeka ka shprehur pritjen që diskutimet në këtë samit të përqendrohen në nevojat zhvillimore në sektorë të ndryshëm, përfshirë energjinë dhe transportin, si dhe në mundësitë për tërheqjen e investimeve.
“Uroj që të ketë diskutim konkret për nevojat zhvillimore nga fusha të ndryshme, fusha energjetike, fusha e transportit, aspketi i tërheqjes së investimeve, krahas diskutimeve për këto tema natyrisht të sigurohen edhe burimet e financimit, ose së paku të diskutohen burimet e financimit. Është mirë që këtu ka edhe institucione financiare nderkombëtare, si Banka Botërore, korporata financiare ndërkombëtare. Natyrisht edhe akterë të shtetëve, akterë financues të shteteve”, shtoi Zeka. /KosovaPress/