​AGK: Sulmi fizik ndaj Visar Duriqit, shqetësues dhe i rrezikshëm për demokracinë

Visar Duriqi, gazetar i gazetës Insjaderi mbrëmë rreth mesnatës para banesës së tij është sulmuar fizikisht nga tre persona të panjohur. Gazetari për media ka deklaruar se ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi si pasojë e sulmit fizik i ka dhëmbët dhe hundën e thyer.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për sulmin fizik në drejtim të gazetarit të gazetës online Insjaderi, Visar Duriqi.

Në lidhje me rastin, për media është deklaruar edhe Policia e Kosovës.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK, për trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe më pas është liruar nga aty”, thuhet në deklaratën e policisë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nëpërmejt një komunikate, kërkon nga organet e drejtësisë që sa më shpejtë t’i hetojnë motivet e sulmit dhe ta zbardhin këtë rast, i cili në themel dëmton lirinë e shprehjes dhe medias.

“AGK-ja do t’i njoftojë të gjithë akterët kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me këtë rast dhe njëherit iu bëjmë thirrje të gjithë kolegëve tanë gazetarë që t’i raportojnë kërcënimet dhe sulmet në drejtim të tyre. Çdo sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend”, thuhet në reagim.

Read Previous

Gjatë 24 orëve të fundit 86 aktakuza kundër 104 personave

Read Next

Sektori i Hotelerisë s’e pranon mbylljen as kthimin e TVSh-së prej 18%, bizneset në prag të falimentimit