​47 kandidatë për deputetë kanë probleme me ligjin

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka pranuar përgjigje nga institucionet të cilave u është drejtuar rreth verifikimit të kandidatëve që janë në listë për deputetë, përfshirë Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se 15 subjekte politike nga 28 sosh, kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të ligjit për zgjedhje.

“Nga përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rezulton se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për çertifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën q, e cila specifikon se kandidat për deputetë nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1 080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Pas pranimit të këtyre përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatit Rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Këto rekomandime do të paraqiten në mbledhje të KQZ-së. Sipas Planit Operacional të miratuar nga KQZ-ja, rekomandimet do të bëhen gati gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendim më së largu deri më 22 janar”, tha ai./KosovaPress

Read Previous

​Qeveria do të ndajë paga shtesë edhe për arsimtarët, paguhen në dy këste

Read Next

​OBSH: Shpërndarja e pabarabartë e vaksinave do të zgjasë pandeminë