​12 të arrestuar dhe mbi 400 mijë euro të sekuestruara në aksionin e sotëm policor

12 persona janë arrestuar në aksionin e sotëm nga Policia e Kosovës dhe janë sekuestruar mbi 400 mijë euro. Personat e arrestuar dyshohen për keqpërdorim të subvencioneve, keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe marrje e dhënie ryshfeti.

Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, ka dhënë detaje lidhur me aksionin, ku tha se nga muaji janar ka filluar grumbullimi i informacioneve dhe provave.

“Sot kemi bërë bastisjen e tyre, ku e kemi arsyetuar kërkesën për bastisje dhe gjatë këtyre veprimeve kemi konfiskuar një shumë të madhe të parave, laptop, telefona, vetura. Janë arrestuar 12 persona, 10 janë persona zyrtarë dhe 2 qytetarë të tjerë që kanë ndihmuar. Dyshohen për keqpërdorim të subvencioneve, marrje dhe dhënie të ryshfetit. Në bazë të provave dhe informatave ky aksion do të zhvillohet edhe në ditët e ardhshme”, tha ai.

Drejtori i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, Nazmi Sahiti, tha se në aksionin e sotëm janë rreth 400 mijë euro që janë sekuestruar.

Bastisja është zhvilluar në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë dhe në komunën e Istogut Lipjan dhe në Pejë.

Mungesën e prokurorit të rastit Rafet Haliti, e ka arsyetuar kryeprokurori i Prishtinës Kujtim Munishi, i cili tha se çdo veprim ka qenë në koordinim me të./KosovaPress

Read Previous

20 shprehi praktike dhe këshilla për t’u bërë një mik apo partner më mbështetës

Read Next

​Bajrami jep dorëheqje nga posti i ministres së Financave, angazhimin do ta vazhdojë si deputete