​Publikohet aktgjykimi i plotë i dënimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka shpallur sot aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në anën tjetër, Trupi Gjykues i shpalli të katërtit të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Ata u shpallën të pafajshëm edhe në lidhje me një numër incidentesh të përfshira në akuzat për krime lufte.

Gjykata konstatoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kishte arritur të vërtetonte, përtej dyshimit të arsyeshëm, se ishte kryer një sulm i përhapur ose sistematik kundër një popullate civile, siç kërkohet për vërtetimin e këtyre akuzave.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit dymijë e njëzet.

Trupi Gjykues konstatoi se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga njëzet e pesë vjet burgim, Kadri Veseli me tetëmbëdhjetë vjet, ndërsa Rexhep Selimi me trembëdhjetë vjet burgim.

Në dënimet e shqiptuara do të llogaritet edhe koha që të katër të akuzuarit kanë kaluar në paraburgim në Hagë.

Sipas aktgjykimit, përgjegjësia penale përfshin ndalimin arbitrar të treqind e tetëdhjetë e pesë personave, trajtimin mizor të dyzet e nëntë personave dhe torturën ndaj treqind e tre personave. Po ashtu, Gjykata konstatoi përgjegjësi për vrasjen e paligjshme të nëntëdhjetë e gjashtë personave.

Aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë dhe vjen pas një procesi gjyqësor shumëvjeçar ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /KosovaPress/

Read Previous

Avokati i Thaçit paralajmëron apel: “Ditë e errët për drejtësinë ndërkombëtare”

Read Next

​Abdixhiku: UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë së popullit tonë