Ministre në detyrë apo deputete? Kjo është përgjigjja e Mimoza Kusari-Lilës
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, është pyetur për pozitën e saj aktuale institucionale, nëse duhet të konsiderohet ministre në detyrë apo deputete e betuar e Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka thënë se mund t’i referohet si ministre në detyrë, ndërsa ka pranuar se është edhe deputete e betuar. Megjithatë, sipas saj, mandati parlamentar ende nuk ka filluar të ushtrohet në praktikë, pasi Kuvendi nuk është aktiv dhe nuk ka vendimmarrje.
Sipas saj, situata aktuale tregon nevojën për një interpretim më të qartë ligjor për periudhën e tranzicionit institucional.
Ajo ka thënë se pas formimit të institucioneve të reja duhet të qartësohet edhe mënyra se si rregullohet ky tranzicion, veçanërisht në raport me Ligjin për Qeverinë.
“Mund të më referoheni si ministre në detyrë dhe, ashtu siç e cekët, deputete e betuar, por me një seancë e cila nuk është përmbyllur ende. Jo, për shkak se ne nuk jemi duke ushtruar funksionin e deputetit ose ende të paktën nuk ka Kuvend aktiv, nuk ka vendimmarrje aktive, ndërsa përveç procesit të betimit, asnjë procedurë ose asnjë aktivitet tjetër që lidhet me ushtrimin e atij funksioni nuk është zhvilluar ndërkohë… Në situatën aktuale ne nuk kemi nisur procese legjislative. Unë nuk jam duke votuar në Kuvend, nuk jam duke ushtruar funksionin e deputetes për shkaqe, për arsye të cilat janë të njohura, e gjithashtu nuk jemi duke iniciuar asnjë procedurë ligjore ose vendimmarrje që do të cenonte qoftë aktivitetin tim si ministre në detyrë apo aktivitetin me mandatin të cilin jam betuar, por të cilin ende nuk kemi filluar me e ekzekutuar. Dhe në këto rrethana, po, duhet, është e domosdoshme që me formimin e institucioneve të riformulohet ose të kemi një interpretim më të qartë në aspektin edhe të mënyrës se si shkruhet edhe Ligji për Qeverinë, në veçanti në klauzolat ku e parasheh këtë tranzicion”, theksoi ajo. /KosovaPress/