Seanca konstituive më 9 shtator, Kryeziu: Këto janë veç afate politike, afati kushtetues ka qenë me 7 gusht!

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 9 shtator.

Kështu ka konfirmuar ditën e djeshme kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

“Si Kryesues i Seancës Konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00. Deri atëherë pres që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese. Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor” ka shkruar Dehari.

Por, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve që ishte data 7 gusht.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për konstituuimin e Kuvendit duke theksuar se duhet një marrëveshje paraprake për çështjen e Presidentit.

Nga ky subjekt politik(LVV) madje patën deklaruar se koha prej 30 ditësh nis nga seanca e parë duke bërë që edhe ky afat i vendosur nga vetë Lëvizja Vetëvendosje të përfundojë sonte në orën 23:59.

Në lidhje me mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit me datën 9 shtator ka folur për “Gazeta Blic”, ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.

Kryeziu potencoi se seanca e datës 9 shtator nuk është brenda afateve të vendosura nga Gjykata Kushtetuese.

“Jo, afati kushtetues ka qenë me 7 gusht, tash janë vetëm afate politike” tha shkurt Kryeziu për “Gazeta Blic”.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se ky subjekt politik nuk do të pranojë vazhdimin e shkeljeve kushtetuese dhe se nga sot, do të hyjë në një fazë tjetër të veprimit politik, institucional dhe juridik për rikthimin e ligjshmërisë dhe rendit kushtetues në vend. /Gazeta Blic/

Read Previous

Rama: Himara dhe Fieri kaluan një natë të vështirë, situata është nën kontroll

Read Next

​Ministre në detyrë apo deputete? Kjo është përgjigjja e Mimoza Kusari-Lilës