• 9 December, 2022

​Haxhiu: Prej nesër e ditëve në vijim do të organizohen 200 aktivitete në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës

“As edhe një më shumë”, është moto e fushatës 16 ditë të aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore. Një ditë para fillimit të fushatës globale, ministrja Albulena Haxhiu ka thënë se raportimi i dhunës është obligim i secilit. E para e drejtësisë ka njoftuar se gjatë këtyre ditëve do të organizohen rreth 200 aktivitete të cilat do të shtrihen në gjithë territorin e Kosovës.

Në konferencë për media, Haxhiu ka thënë se për herë të parë kjo fushatë do të drejtohet dhe koordinohet nga Ministria e Drejtësisë.

Haxhiu: Raportimi është obligimi i secilit

“Dhuna në familje dhe me bazë gjinore duhet të luftohen, raportimi është obligimi i secilit. Vetëm të bashkuar do të mund të arrijmë të minimizojmë dhunën dhe të ndërgjegjësojmë shoqërinë. As edhe një më shumë, është thirrje individuale dhe institucionale për thyerje të heshtjes dhe për raportim”, 
ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka dhënë detaje të aktiviteteve në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit, të cilat do të fillojnë nga nesër.

Haxhiu: Prej nesër e ditëve në vijim do të organizohen 200 aktivitete

“Këtë vit, pra nesër, fushata 16 ditë të aktivizmit hapet në Biblotekën Kombëtare në ceremoni të veçantë, që i dedikohet viktimave. Prej nesër e ditëve në vijim do të organizohen 200 aktivitete të cilat do të shtrihen në gjithë Kosovën dhe kanë targete të ndryshme shoqërore. Këto rreth 200 aktivitete organizohen përveç se nga institucionet e Kosovës, po ashtu edhe nga organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat ndërkombëtare të cilat veprojnë në Kosovë. Për 16 ditë do të organizohen tryeza, diskutime, vizita në qytete e fshatra, takime në institucione e komuna, tubime me vajza e gra, tubime në shkolla, klube të sporteve, shoqata edhe në biznese”, 
ka shtuar ajo.

Gjatë këtyre ditëve, Haxhiu tha se MD do të organizojë mbi 30 aktivitete. Po ashtu, bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci nesër do të vizitojnë shkollën “Faik Konica” ku do të bashkëbisedojnë për dhunën në familje.

Haxhiu: Kjo do të ndodhë qysh nesër në orën 08 të mëngjesit

“MD do të organizojë mbi 30 aktivitete, ndër to do të lansojmë protokollin shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, i cili u votua dje në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, si dhe kurrikulën për trajtimin e e dhunuesve, të dy këto dokumente të rëndësishme që ndërlidhen me zbatimin e Konventës së Stambollit. Po ashtu, në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit në bashkëpunim me MAShT-in në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës, nxënësit dhe mësimdhënësit orën e parë të mësimit do të ja dedikojnë temës së dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore. Kjo do të ndodhë qysh nesër në orën 08 të mëngjesit”,
 ka shtuar Haxhiu.

Haxhiu ka njoftuar se bashkë me ministrin Hajrulla Çeku do të organizojnë shfaqje të filmave dhe atyre teatrale që trajtojnë pozitën dhe rolin e gruas në shoqëri. Gjatë organizimit të kësaj fushate do të mbahet koncert i filharmonisë që i dedikohet viktimave të dhunës në familje dhe atyre me baza gjinore.

Ajo ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga ndërmarrjet që në faturat për muajin dhjetor të vendosen mesazhe kundër dhunës dhe thirrje për raportim.

Read Previous

​Kia do të nisë prodhimin e automjeteve elektrike në SHBA në vitin 2025

Read Next

​Qeveria tregon se kur do t’u dalin studentëve nga 100 euro