​A mund ta sigurojë Shqipëria sonte “play-off”-in e Botërorit 2026?

Kombëtarja shqiptare është shumë pranë një arritjeje historike në kualifikueset e Botërorit 2026. Kuqezinjtë do të përballen sonte me Andorrën në orën 20:45, në një ndeshje që mund të rezultojë vendimtare për fatin e tyre në Grupin K.

Pas gjashtë ndeshjeve të luajtura, Shqipëria renditet në vendin e dytë me 11 pikë, pas Anglisë që ka 18 pikë dhe tashmë ka siguruar kualifikimin në fazën finale. Pas kuqezinjve ndodhet Serbia me 10 pikë, ndërsa Letonia ka 5 dhe Andorra vetëm 1 pikë.

Nëse Shqipëria arrin të fitojë sonte ndaj Andorrës dhe në të njëjtën kohë Serbia pëson humbje ndaj Anglisë, atëherë skuadra e drejtuar nga Silvinjo do ta sigurojë matematikisht vendin e dytë në grup dhe për pasojë kualifikimin në fazën “play-off” për Botërorin që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë në vitin 2026.

Një skenar i tillë do t’i jepte Shqipërisë mundësinë që ta mbyllte fushatën kualifikuese me qetësi, përpara ndeshjes së fundit ndaj Anglisë më 16 nëntor në stadiumin “Air Albania”.

Duke u bazuar në tabelën aktuale të Grupit K, situata para ndeshjeve të sotme është si më poshtë:

  • Anglia – 18 pikë (6 fitore në 6 ndeshje)
  • Shqipëria – 11 pikë (6 ndeshje)
  • Serbia – 10 pikë (6 ndeshje)
  • Letonia – 5 pikë (7 ndeshje)
  • Andorra – 1 pikë (7 ndeshje)

Trajneri Sylvinho ka të gjithë lojtarët kryesorë në dispozicion, përveç Marash Kumbullës, ndërsa Elseid Hysaj pritet të regjistrojë paraqitjen e tij të 95-të për kombëtaren. Tek Andorra, lojtarët më me përvojë janë Moises San Nicolas dhe veteranë të tjerë, ndërsa disa lojtarë mungojnë për shkak të pezullimeve.

Formacionet e mundshme:

Andorra: Gomes; Borra, Olivera, Llovera, Garcia, San Nicolas; Rosas, Babot, Rebes, Cervos; Lopez

Shqipëria: Strakosha; Hysaj, Ajeti, Djimsiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Laci; Bajrami, Manaj, Uzuni

Ndeshja zhvillohet sonte nga ora 20:45 dhe Shqipëria synon të marrë një fitore vendimtare drejt playoff-it. /KosovaPress/

Read Previous

Dinamo Zagreb e shpërblen Arbër Hoxhën me kontratë të re

Read Next

Policia e Kosovës: 52 aksidente trafiku në 24 orët e fundit