​SHBA-ja miraton shitjen e 500 raketave Patriot për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar shitjen e propozuar të 500 raketave Patriot për Ukrainën, në vlerë prej 2.1 miliardë dollarësh.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi më 30 tetor se marrëveshja përfshin raketa interceptuese PAC-3, të cilat përdoren për mbrojtje ajrore, veçanërisht kundër raketave balistike.

Sipas Reuters, blerja do të financohet përmes kontributeve të Kanadasë, Gjermanisë dhe Norvegjisë, në kuadër të programit amerikan JUMPSTART, si dhe fondeve ukrainase të mbështetura nga një kredi e Bashkimit Evropian.

Për këtë marrëveshje nuk do të përdoren fonde të qeverisë amerikane, ndërsa kontraktori kryesor do të jetë kompania Lockheed Martin.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka mirëpritur vendimin, por ka paralajmëruar se raketat mund të mos dorëzohen për disa vite.

Ai u ka kërkuar partnerëve amerikanë të gjejnë një zgjidhje që do t’i mundësonte Ukrainës të siguronte menjëherë raketa nga rezervat ekzistuese, ndërsa ato të zëvendësoheshin më vonë.

Kërkesa vjen në kohën kur Rusia po vazhdon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe objektivave të tjera në Ukrainë.

Sipas Associated Press, Zelensky kishte paralajmëruar më herët se rezervat ukrainase të raketave Patriot ishin drejt shterimit.

Miratimi amerikan përbën një hap drejt realizimit të marrëveshjes, por shitja e propozuar mbetet subjekt i shqyrtimit nga Kongresi. Autoritetet amerikane nuk kanë njoftuar një datë të saktë për dorëzimin e raketave. /KosovaPress/

Read Previous

​Dy persona të kërkuar nga Interpoli arrestohen në Prishtinë dhe Istog

Read Next

​Telefonata me Putinin përçan Evropën, Danimarka dhe Suedia kundër nismës