​Telefonata me Putinin përçan Evropën, Danimarka dhe Suedia kundër nismës

Një telefonatë 90-minutëshe me presidentin rus, Vladimir Putin, ka nxjerrë në pah mospajtimet mes vendeve evropiane për dialogun me Moskën.

Presidenti i Finlandës, Aleksandër Stub, dhe kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gar Stëre, zhvilluan të martën, më 27 tetor, një bisedë me Putinin, me synimin për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë dhe mundësitë e rifillimit të negociatave për paqe.

Megjithatë, nisma ka shkaktuar reagime nga Danimarka dhe Suedia, të cilat kanë kritikuar mungesën e koordinimit paraprak me aleatët, raporton The Guardian, transmeton KosovaPress.

Kryeministrja daneze, Mete Frederiksen, ka shprehur skepticizëm për këtë veprim, duke deklaruar se nuk e ka të qartë çfarë mund të arrihet përmes kontakteve të tilla.

Edhe kryeministri suedez, Ulf Kristerson, ka kritikuar nismën, duke thënë se nuk ishte njoftuar paraprakisht për bisedën.

Nga ana tjetër, Stub dhe Stëre kanë mbrojtur vendimin, duke theksuar se qëllimi ishte përcjellja e mesazheve lidhur me Ukrainën dhe diskutimi i çështjeve të sigurisë rajonale.

Kryeministri norvegjez ka përmendur gjithashtu nevojën për menaxhimin e rezervave të përbashkëta të peshkut në Detin e Barencit dhe ruajtjen e sigurisë përgjatë kufirit me Rusinë.

Ndërkohë, presidenti finlandez ka theksuar rëndësinë e shmangies së keqkuptimeve mes Moskës dhe vendeve nordike.

Dy udhëheqësit kanë deklaruar se aleatët ishin informuar për telefonatën, por kanë sqaruar se nuk kishin zhvilluar bisedime në emër të Evropës në tërësi.

Mospajtimet vijnë në kohën kur Bashkimi Evropian ende nuk ka arritur marrëveshje për caktimin e një përfaqësuesi të përbashkët që do të zhvillonte negociata të drejtpërdrejta me Kremlinin.

Franca ka mbështetur ruajtjen e kanaleve diplomatike me Moskën, ndërsa Gjermania dhe Britania e Madhe kanë mbajtur qëndrim më të kujdesshëm.

Vendet baltike dhe shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kalas, kanë shprehur shqetësimin se rifillimi i kontakteve në nivel të lartë mund të dobësojë presionin ndaj Rusisë pa siguruar lëshime nga Moska.

Analisti Arkadi Moshes, drejtor i programit për Rusinë në Institutin Finlandez për Çështjet Ndërkombëtare, ka paralajmëruar se gatishmëria e Putinit për të zhvilluar bisedime nuk duhet të ngatërrohet me vullnetin për kompromis.

Sipas tij, telefonata nuk nënkupton domosdoshmërisht se palët po i afrohen një armëpushimi apo marrëveshjeje për paqe.

Debati zhvillohet përpara një raundi të ri bisedimesh që pritet të mbahet në Abu Dhabi gjatë nëntorit, ndërsa vendet evropiane shqetësohen se mund të mbeten jashtë negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë. /KosovaPress/

Read Previous

​SHBA-ja miraton shitjen e 500 raketave Patriot për Ukrainën

Read Next

Martinez synon të rikthehet nga dëmtimi më herët sesa pritej, do të mbajë maskë mbrojtëse pas operacionit