​Qelaj: Demarkacioni u bë me 2009, nuk u kompensuan krejt pronat që mbetën në Maqedoninë e Veriut

Edhe 17 vjet pas demarkacionit me Maqedoninë e Veriut, ka qytetarë të Kosovës që nuk janë kompensuar për pronat e tyre të mbetura në anën tjetër të kufirit.

Këtë shqetësim të banorëve të zonës e ngriti të martën Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, në takimin trepalësh me homologët e tij nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, Faton Selmani e Endrit Shabani, ku u diskutua për çështjet civile me element ndërkufitar, problemet me lejet e qëndrimit, njohjen e vendimeve gjyqësore, e ndotjen mjedisit.

Aty foli edhe për faktin se qytetarët vazhdojnë të përballen me vështirësi në procedurat administrative, veçanërisht sa i përket lejeve të qëndrimit dhe dokumentacionit shtesë të kërkuar nga institucionet.

“Kemi pasur disa raste kanë pasur në vonesa për leje qëndrim, e kërkesa shtesë në dokumentacion. Çështjet e punësimeve besoj se do të jenë problematikë e së ardhmës. Nuk kemi evidencë të saktë sa qytetarë të huaj kanë ardhur në Kosovë. Me disa qytetarë të Kosovës në vijën kufitare me Maqedoninë kemi pasur ankesa se kur është bërë demarkacioni në Maqedoni një pjesë e madhe e pronave janë ndarë, i kanë vendosur në shtetet respektive. Kanë prona që kanë mbetur në territorin e Maqedonisë. Kemi parë që Qeveria nuk ka marrë veprim konkret për t’i kompensuar ata”, tha Qelaj.

Ndërkaq, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Endrit Shabani, ngriti shqetësimin për problemet mjedisore dhe vështirësitë në njohjen e vendimeve gjyqësore ndërmjet vendeve të rajonit.

“Problematikat brenda këtij seksioni janë problematikat e ndotjes së mjedisit të lumenjve që i kemi të përbashkët. Njohja e vendimeve gjyqësore është problematikë që është adresuar. Me pronat nuk lidhen vetëm në kufi, por edhe qytetarët e Kosovës që blejmë shtëpi në bregdet pa fletë. Bashkëpunimi këtu mendoj që do të jap produkt për t’i garantuar të drejtat, që mos ta ndjejnë në mënyrë de facto kufirin”, tha ai.

Që të tre avokatët do të deklarohen më vonë në një konferencë të përbashkët për media. /KosovaPress/

Read Previous

Pesë gola në dy ndeshjet e para të Botërorit, Messi: Mund të kisha shënuar edhe më shumë

Read Next

“Figura më e suksesshme e atletikës kosovare”, Gashani takon Gresa Bakraqin