Messi dhuron 80 mijë euro për të prekurit nga zjarret në Madrid
Sot shënohet 274-vjetori i ndarjes nga jeta të ipeshkvit, teologut dhe lëvruesit të gjuhës shqipe, Gjon Nikollë Kazazi, një prej figurave më të rëndësishme të historisë së kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.
Kazazi mbetet i njohur veçanërisht për zbulimin e veprës monumentale të letërsisë shqipe, “Mesharit” të Gjon Buzuku. Gjatë kërkimeve të tij në Arkivin e Vatikanit, në vitin 1740, ai hasi në këtë vepër të botuar më 1555, duke dëshmuar ekzistencën e librit më të vjetër të njohur në gjuhën shqipe. Megjithatë, ky zbulim mbeti pak i njohur deri në vitin 1909, kur studiuesi arbëresh Pal Skiroi e rigjeti veprën në të njëjtin arkiv, nën shënimin “Katalogu: R.G. Liturgia III,194”.
Gjon Nikollë Kazazi lindi më 1 janar 1702 në Gjakovë. Formimin e tij akademik e nisi në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit, ndërsa studimet e larta në teologji i vazhdoi në Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe në Loreto të Italisë. Në vitin 1727 fitoi titullin Doktor në Filozofi dhe Teologji, ndërsa po atë vit u shugurua meshtar.
Në moshën 41-vjeçare u emërua ipeshkëv i Shkupit, duke ushtruar një rol të rëndësishëm në jetën kishtare dhe kulturore të kohës.
Në vitin 1743 ai botoi veprën “Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane”, një ndër kontributet e rëndësishme në fushën e teologjisë dhe shkrimit në gjuhën shqipe. Studiuesit e konsiderojnë Kazazin si pionierin shqiptar që hapi rrugën për kërkimet në Arkivin e Vatikanit, veçanërisht në arkivin e Propaganda Fide, duke nxitur brezat e mëvonshëm të studiuesve të hulumtojnë historinë dhe dokumentet që lidhen me shqiptarët.
Imzot Gjon Nikollë Kazazi ndërroi jetë më 5 gusht 1752. Edhe pas më shumë se dy shekujsh, ai kujtohet si një figurë kyçe e kulturës kombëtare, e cila dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e trashëgimisë së gjuhës shqipe, historisë dhe identitetit kulturor të shqiptarëve. Kontributi i tij mbetet një gurthemel në panteonin e besimit, arsimit dhe kulturës shqiptare.