​Nis ushtrimi i përbashkët nga Policia e Kosovës e Ambasada e SHBA-së

Ushtrimi i përbashkët i planifikuar nga Policia e Kosovës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë tanimë ka nisur dhe ndodhet në fazën fillestare.

Varësisht nga informacionet dhe skenarët e përgatitur në ushtrim, do të kyçen njësitë policore, duke filluar nga njësitë patrulluese të rendit publik, njësitë e reagimit të shpejtë e deri te njësitë elite speciale të profileve të ndryshme, të cilat do të përdorin mjetet dhe pajisjet e nevojshme logjistike, për veprime policore varësisht nga situata dhe rrethanat e paraqitura.

Policia kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim të plotë nga qytetarët e në veçanti nga pjesëmarrësit në trafik, që në këtë kohë (ora 15:00-21:00) të shmangin qarkullimin në zonën përreth Ambasadës amerikane në Prishtinë – lagjja “Arbëria”, për shkak të zhvillimit të ushtrimit dhe ndërprerjes së qarkullimit të përkohshëm të disa segmenteve rrugore në atë zonë.

Policia e Kosovës do të vazhdojë të mbajë publikun të informuar mbi rrjedhën e ushtrimit, informacione këto të cilat do të publikohen edhe në faqet zyrtare të saj.

Ushtrimet e përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe Ambasadës amerikane, janë një tregues i forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit në siguri dhe për të siguruar gatishmërinë në menaxhimin dhe reagimin ndaj situatave emergjentë, dhe të çfarëdo incidenti të mundshëm në Kosovë.

Përmes këtij ushtrimi synohet testimi i kohës së reagimit, efektiviteti dhe efikasiteti i zyrtarëve dhe pajisjeve, si dhe komunikimi e koordinimi ndërmjet njësive dhe institucioneve relevante në situata emergjente, ku kërkohet garantimi i një ambienti të sigurt për qytetarët, stafin diplomatik dhe institucionet e Kosovës. /KosovaPress

Read Previous

Shtëpia botuese “Dukagjini” promovoi lektyrat shkollore sot në Gjakovë

Read Next

​Belinda Balluku rikthehet në detyrë