​Mbi 130 mijë votues më pak deri në orën 15:00, krahasuar me zgjedhjet e fundit

Mbi 130 mijë qytetarë më pak kanë votuar deri në orën 15:00, në krahasim me zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar. Sipas KQZ-së, në zgjedhjet e sotme parlamentare, deri në orën 15:00 kanë votuar gjithsej 445 mijë e 622 votues apo 22,74 për qind. Ndërkaq, në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025 kishin votuar 585 mijë e 635 votues apo 29.29 për qind. Në Kosovë kanë të drejt të votës mbi 1.9 milionë qytetarë.

Këto shifra i bëri të ditura kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili shtoi se procesi zgjedhor po zhvillohet i qetë dhe pa ndonjë pengesë serioze që do të cenonte mbarëvajtjen e rregullt të këtij procesi zgjedhor.

“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga mbi 98% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 445 mijë e 622 votues apo 22,74% nga 1 milionë e 959 mijë e 962 votues. Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, kishin votuar 29.29% apo 585 mijë e 635 votues nga 1 milionë e 999 mijë e 204 votues”, tha ai.

Krahas kësaj, Radoniqi tha se nuk do të lejohet votimi me dokumente të pavlefshme. Ai shtoi se ka pasur disa raste edhe të qytetarëve nga komuniteti serb që kanë tentuar të votojnë me dokumente të Serbisë, por që nuk janë lejuar.

“Kemi dëgjuar për këtë. Ka pasur edhe një rast apo dy në veri ku nuk janë lejuar. Stafi nuk e ka lejuar me votu”, deklaroi Radoniqi.

I pyetur sa i përket fshirjes së lëngut të ngjyrës në gisht pas votimit, ai mori shembull veten duke thënë se atij nuk po i hiqet ngjyra, por shtoi se KQZ ka edhe mekanizma të tjerë për të parandaluar votimin e dyfishtë.

“Mua nuk më është fshirë, edhe pse kam tentuar, të them të drejtën. Kjo varet edhe sa ia vendosin në gisht dhe nëse menjëherë pas vendosjes tenton ta fshijë. Por unë nuk besoj se paraqet problem, pasi ka edhe siguri të tjera përveç vendosjes së ngjyrës në gisht”, tha ai. /KosovaPress/

Read Previous

Zgjedhjet në Kosovë, ambasadori gjerman: Po e vëzhgojmë procesin me 4 ekipe

Read Next

​Kosova mbajti vetëm një palë zgjedhje parlamentare të rregullta pas luftës, 7 tjera ishin të parakohshme