​Kuvendi miraton katër marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës ka miratuar katër marrëveshje ndërkombëtare. Në seancën e sotme, të zgjedhurit e popullit i dhanë dritën e gjelbër marrëveshjes për tregti të lirë mes Kosovës dhe shteteve të EFTA-s, ku bëjnë pjesë Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, si dhe protokollet 5, 6 dhe 7 të aderimit dhe amendamentimit të marrëveshjes për tregti të lirë të Evropës Qendrore.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se marrëveshja për tregti të lirë me shtetet e EFTA-s do të mundësojë eliminimin e tarifave doganore për shumicën e produkteve industriale.

“Marrëveshja e tregtisë së lirë përbën një instrument të rëndësishëm të politikës tregtare të Kosovës dhe kontribuon në thellimin e integrimit ekonomik me tregjet e shteteve evropiane me fuqi të lartë blerëse, si dhe standarde të avancuara rregullative. Kjo marrëveshje përfshin fusha të ndryshme për të cilat palët janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit dhe liberalizimin progresiv të tregtisë së mallrave përmes eliminimit të tarifave doganore për shumicën e produkteve industriale”, tha ajo. /KosovaPress/


Lojërat Mesdhetare, Kuvendi miraton marrëveshjen me Shqipërinë

Me 93 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Republikës kanë ratifikuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, për shqyrtimin e së cilit u desh të bëhej shmangie nga procedurat kuvendare.

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani , tha se organizimi i tyre përfaqëson një arritje strategjike për Republikën e Kosovës duke e vendosur atë në hartën e ngjarjeve të mëdha sportive e ndërkombëtare.

“Marrëveshja me Republikën e  Shqipërisë paraqet një zgjidhje funksionale dhe të arsyeshme për organizimin e disiplinave të lundrimit, duke reflektuar realitetin gjeografik dhe nevojën për bashkëpunim rajonal. Duke qenë se Kosova nuk ka dalje në det, përfshirja e qytetit të Durrësit si vend zhvillimi për sportin lundrimit është një zgjidhje logjike dhe në përputhje me standardet e organizimit të ngjarjeve mukati-sportive. Kjo  marrëveshje nuk e cenon rolin  Kosovës si nikoqire, po përkundrazi e fuqizon atë duke treguar fleksibilitet e kapacitete për të organizuar lojëra gjithëpërfshirëse me partner strategjik”, deklaroi ministri para ligjvënësve.

Gashani tha se Kosova mbanë barrë kryesore financiare, ndërsa Shqipëria merr përsipër rolin partnerit zbatues në territorin e saj duke ofruar infrastrukturën detare dhe duke garantuar organizimin teknik dhe operacional të disiplinës së lundrimit.

Bylbyl Sokoli, deputet i LVV-së, tha se vota për projektligjin, është votë për sportin, bashkëpunimin ndërmjet Kosovës e Shqipërisë si dhe për përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare.

Nga PDK-ja foli, Arbnore Salihu që tha se si parti ditë më parë i kanë dhënë vërejtjet  e tyre. “Lidhur me mënyrën se si janë paraparë procedurat e prokurimit, auditimit, raportimit të shpenzimeve buxhetore e rekrutimit të stafit”, deklaroi ajo.

Adelina Thaçi-Meta nga LDK-ja tha se si nënkryetare e Komisionit ka ngritur shqetësimit sa i përket organizimit të këtyre lojërave, por tha se si parti, sikurse çdo marrëveshje ndërkombëtare që është në interes të vendit, e mbështesin edhe këtë.

Nga AAK-ja, Time Kadrijaj tha se kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë.

 “Po na vjen mirë që më në fund e kemi një marrëveshje Kosovë-Shqipëri, duke e ditur që nga kjo Qeveri ka munguar në vazhdimësi bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë”, tha ajo. /RTKlive

Read Previous

Policia shqipton 663 gjoba dhe sekuestron 50 motoçikleta në Gjakovë

Read Next

Seancë e jashtëzakonshme për presidentin, Kuvendi mblidhet sot në ora 17:00