​Kurti u bën thirrje qytetarëve ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Kurti pas votimit në Fakultetin Juridik në Prishtinë, tha se sa më e madhe të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe më solid stabiliteti i tyre.

Kurti, u kërkoi qytetarëve që të verifikojnë qendrën e tyre të votimit dhe të dalin e të votojnë.

“Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme, e diel me diell. Para se të vij këtu, e vërtetova në uebfaqen në KQZ se a e kam saktësisht këtu sikurse herën e kaluar vendvotimin. Kur u konfirmua kjo gjë, u nisa prandaj i sugjeroj të gjithë qytetarët e republikës që paraprakisht ta kontrollojnë vendvotimin dhe atëherë kur e verifikojnë që e kanë aty, të nisen në këtë ditë kaq të rëndësishme për institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Kurti.

Ai, uron që mos të mbahen përsëri zgjedhjet parlamentare.

“Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve e aq më solid stabiliteti i tyre. Sot vendosin ata që votojnë prandaj edhe u bëj thirrje qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të kuvendit të republikës në legjislaturën e 11.. Uroj që për zgjedhje parlamentare këtu do të shihemi pas katër viteve”, tha Kurti. /KosovaPress/

Read Previous

Afër 60 mijë qytetarë kanë votuar deri më tani, këto janë komunat me pjesëmarrjen më të lartë

Read Next

Hamza: Sot vendosim për të ardhmen e vendit