Gjykata Themelore në Pejë shqipton dënim unik prej 22 vjetësh burgim për tri vepra penale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se Kodi Civil do të rikthehet për shqyrtim në Kuvend, ndërsa ka bërë të ditur se në fillim të javës së ardhshme do të mblidhet grupi punues në Ministrinë e Drejtësisë për të diskutuar përmbajtjen e tij.
Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, Kurti iu përgjigj deputetit të PDK-së Eman Rrahmani, i cili kundërshtoi planet e Qeverisë për miratimin e Kodit Civil, Ligjit për fertilizimin e asistuar dhe Ligjit për gjendjen civile, duke pretenduar se këto nisma cenojnë vlerat e familjes tradicionale, raporton KosovaPress.
Në përgjigjen e tij, kryeministri Kurti theksoi se Kosovës i nevojitet një reformë e qëndrueshme e së drejtës civile, duke përmendur rregullimin e çështjeve që lidhen me pronën, kontratat, marrëdhëniet familjare dhe trashëgiminë.
“Qeveria planifikon të sjellë kodin civil në Kuvend, sepse Kosovës i nevojitet një reformë e qëndrueshme e të drejtës civile, prona, kontrata, marrëdhëniet familjare dhe trashëgimia, janë marrëdhëniet përmes të cilave qytetari ndërton jetën e vet si individ. Kodi civil i vendos ato në një tërësi të harmonizuar, ku dispozitat e plotësojnë njëra tjetrën dhe ku të drejtat dhe përgjegjësitë bëhen më të qarta. Një kod i tillë duhet të hartohet me vetëdijen që do t’ju shërbej edhe brezave që vinë. Kjo bëhet e kuptueshme kur flasim për pronën”, tha Kurti.
Kryeministri foli edhe për nevojën e rregullimit ligjor të fertilizimit të asistuar, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për personat që përballen me vështirësi për t’u bërë prindër.
“Duhet të shohim edhe rregullimin e fertilizimit të asistuar, dëshira për t’i bërë prind është një nga shprehjet më të thella të shpresës njerëzore, dëshira për të dhënë dashuri e për t’u kujdesur për një jetë tjetër, për shumë njerëz rruga drejt prindimit shoqërohet, me vështirësi që meritojnë mirëkuptim dhe një përgjigje të kujdesshme nga shteti”, tha Kurti.
Pas përgjigjes së kryeministrit, Rrahmani reagoi duke thënë se kundërshtimet e tij lidhen konkretisht me dispozitat për fertilizimin e asistuar dhe ndryshimin e gjinisë në dokumentet e gjendjes civile.
“E kuptoj në fushatë mundesh të përdorësh këto fjali, mirëpo besoj se jemi në kuvend. çështjet janë konkrete, besoj se do të duhej të ishit korrekt. Kodi civil dihet çka është kundërshtuar, te çështja për fertilizim, lejimi që gratë të bëhen nëna pa burrë si dhe për gjendjen civile është kundërshtuar ndërrimi i gjinisë. Ju në natën e mot moteve po e bini në qeveri ligjin më ndërrua gjininë”, tha Rrahmani.
Kryeministri Kurti kërkoi nga deputeti Rrahmani që të lexojë të gjitha nenet dhe jo të fokusohet vetëm në dy nene.
“Kodi civil, nëse nuk e kam gabim ,i ka 997 faqe, 1 mijë e 630 nene, ka mundësi që ndihmon nëse i lexoni dhe i shqyrtoni. Përqendrimi në vetëm dy nene është rrezik t’ju bëhet obsesion. Ky është vetëm një sugjerim. Nuk është e thënë të pajtohemi secili në gjithçka. Në fillimin e javës së ardhshme do të mblidhet grupi punues në Ministri të Drejtësisë ku do të diskutojnë gjithçka dhe do ta risjellin në Kuvend”, u kundërpërgjigj Kurti. /KosovaPress/