​Kadrijaj kërkon përshpejtimin e Ligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës Çlirimtare, Hoti: Mos e ktheni në sulm politik

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka kërkuar që Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare të procedohet në Kuvendin e Kosovës para afatit të paraparë nga Qeveria, më 30 gusht 2027.

Gjatë pyetjeve parlamentare, Kadrijaj e ka cilësuar të paarsyeshme shtyrjen e këtij projektligji deri në gusht të vitit të ardhshëm, duke kërkuar nga ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, të sqarojë nëse Qeveria do ta sjellë atë më herët për shqyrtim.

“Në programin e projektligjeve të qeverisë për vitin 2026-2028 ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare është parapa të vij në kuvend me datë 30 gusht 2027, e sipas kalendarit gjithmonë muaji tetë është muaj pushimi. Është e paarsyeshme shtyerja deri në atë kohë, a do e sjellni më herët këtë ligj në kuvend, apo do e zvarritni?”, pyeti ajo.

Në përgjigjen e tij, ministri Hoti u pajtua se miratimi i këtij ligji është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por nuk dha një afat të ri për procedimin e tij. Ai theksoi se Qeveria do të punojë edhe gjatë muajit gusht, ndërsa rikujtoi se kanë kaluar më shumë se 27 vjet nga përfundimi i luftës pa u miratuar një ligj i tillë.

Ai kërkoi nga Kadrijaj që të mos kthehet në sulm politik, një proces, që sipas tij është marrë me seriozitet.

“Pajtohem plotësisht me ju në një pikë të kësaj pyetje, ligji është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe e kemi diskutuar disa herë, për ne qeverinë nuk ka muaj të pushimit, ne do punojmë edhe në muaj gusht e çdo muaj tjetër kalendarik. Më lejoni të ju kujtoj një fakt, kanë kaluar më shumë se 27 vite e pesë muaj që nga përfundimi i luftës në Kosovë, më shumë se 27 vite dhe ne ende nuk kemi një ligj të tillë dhe ju sot po kërkoni llogari prej meje pse e kam qitur në një afat prej 10 muajsh. Ju keni qenë deputetë që shumë mandate këtu, jam i bindur që e dini se sipas kushtetutës së republikës edhe deputetët kanë të drejtë në nismën legjislative, prandaj nuk dua të hy në diskutime. Mos e ktheni në sulm politik një proces që më në fund e kemi shumë seriozisht”, tha Hoti.

Pas kësaj përgjigjeje, Kadrijaj reagoi duke mohuar se pyetja e saj kishte karakter politik. Ajo tha se përfshirja e ligjit në agjendën legjislative është pozitive, por kundërshtoi mënyrën se si ministri iu përgjigj shqetësimit të saj.

“Andin Ukshin Hoti, faleminderit për ligjëratën, nuk bëra politikë aspak, asnjë term i asaj që e thashë nuk pati politikë, përkundrazi ti bëre politikë. Mirë që ka ardhur në agjendë legjislative dhe në mënyrë hipotetike e thashë, përpos asaj që e kam luftë e kam ruajtur integritetin”, tha Kadrijaj. /KosovaPress/

Read Previous

​Haradinaj kërkon bashkim të opozitës kundër Kurtit, thotë se UÇK-ja është në themel të shtetit

Read Next

​Kurti paralajmëron rikthimin e Kodit Civil në Kuvend