​KOK-u shënon 11 vjetorin e anëtarësimit në familjen olimpike

Kosova sot shënon 11 vjet nga pranimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, një prej momenteve më historike për sportin e vendit. Ky përvjetor rikujton rrugëtimin e shpejtë dhe të suksesshëm që Kosova ka bërë në arenën ndërkombëtare që nga dita kur u bë pjesë e familjes së madhe olimpike.

Gjatë këtyre 11 viteve, sportistët kosovarë kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme duke fituar pesë medalje olimpike, të cilat konsiderohen ndër sukseset më të mëdha të historisë sportive të vendit. Përkrah tyre janë edhe dhjetëra medalje në garat botërore, evropiane dhe mesdhetare, dëshmi e rritjes së vazhdueshme, talentit dhe përkushtimit të tyre.

Një prej përgjegjësive dhe nderimeve më të mëdha që Kosova ka marrë gjatë kësaj periudhe është organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, një projekt madhor që e vendos vendin në qendër të vëmendjes së sportit shumë-disiplinor ndërkombëtar.

Përvjetori i dhjetë solli edhe një moment të veçantë, kur një vit më parë Kosovën e vizitoi për herë të dytë presidenti i atëhershëm i IOC, Thomas Bach. Vizita e tij u shoqërua me nderime të larta për kontributin që ai ka dhënë në procesin e anëtarësimit të Kosovës dhe avancimin e saj në lëvizjen olimpike. Bach, tashmë ish-president, mbetet një figurë kyçe në historinë e sportit kosovar për rolin e tij në hapjen e dyerve të garimit të barabartë për sportistët tanë.

Në një adresim të veçantë, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, falënderoi federatat, trajnerët, kontribuesit dhe mbi të gjitha sportistët për punën dhe sukseset që i kanë sjellë vendit nder e përfaqësim dinjitoz në skenën ndërkombëtare. Ai theksoi se ky rrugëtim është rezultat i bashkëpunimit dhe përkushtimit të secilit që ka qenë pjesë e procesit.

Krasniqi uroi përvjetorin e anëtarësimit në IOC dhe u bëri thirrje të gjithëve që të vazhdojnë së bashku ndërtimin e një të ardhmeje edhe më të ndritshme për sportin e Kosovës. /KosovaPress/

Read Previous

Shqiptarët në Gjermani – 90% e tyre në punë me aftësi të ulëta

Read Next

Vetëm gjashtë vende kanë nëndetëse bërthamore, a i duhen Evropës më shumë?