​Ish-drejtori i FBI-së akuzohet për dy vepra penale

Një juri federale në shtetin e Virxhinias në SHBA, ka ngritur zyrtarisht akuza ndaj ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, për dy vepra lidhur me dëshminë që ai dha para Kongresit në 2020, raporton BBC.

Comey, i cili prej kohësh ka qenë objekt kritikash nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, akuzohet për gënjeshtër ndaj një komiteti të Senatit në vitin 2020 lidhur me faktin nëse kishte autorizuar rrjedhjen e informacionit të klasifikuar për mediat.

Hetimet udhëhiqen nga Lindsey Halligan, prokurorja e SHBA për Distriktin Lindor të Virxhinias, e cila më parë ka qenë avokate personale e Trumpit.

Comey ka deklaruar pafajësinë dhe besimin e tij në sistemin federal gjyqësor.

Ky rast konsiderohet si aktakuza e profilit më të lartë ndaj një figure publike gjatë mandatit të dytë të Trumpit. Trump ka bërë thirrje publike për ndjekje më të ashpër ndaj kritikëve të tij, duke përfshirë Comey.

Demokratë të shumtë e kanë dënuar aktakuzën, duke e quajtur “një sulm turpues ndaj sundimit të ligjit”.

Comey shërbeu si drejtor i FBI-së nga 2013 deri në 2017, duke përfshirë hetimin e postës elektronike të Hillary Clinton para zgjedhjeve të 2016-s, dhe u shkarkua nga Trump gjatë hetimit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016. /KosovaPress/

Read Previous

Forumi i Sportit: Teknologjia dhe inteligjenca artificiale, sfidë dhe mundësi për sportin në Kosovë

Read Next

Programi “Fuqizimi i të rinjëve” nga ICK dhe Coca-Cola HBC Kosova, vjen edhe në Gjakovë