​IPK jep detaje të reja pas suspendimit të 11 zyrtarëve policorë lidhur me rastin e Arlinda Zekajt

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka dhënë detaje të reja pas rekomandimit për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë në lidhje me rastin e Arlinda Zekajt, e vrarë të dielën mbrëma në Vitomiricë të Pejës.

“IPK ka angazhuar një ekip hetuesish dhe ka vazhduar të ndërmarrë veprime hetimore dhe verifikuese lidhur me mënyrën e trajtimit nga Policia e Kosovës të rasteve të raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj.

Këto veprime po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit me qëllim shqyrtimin e plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të saj.

Bazuar në veprimet hetimore preliminare deri në këtë fazë të gjeturat nga Inspektorati Policor i Kosovës janë:

• Nga Policia e Kosovës nuk dokumentohet që është ekzekutuar urdhri mbrojtës C.11r.1300/26 i datës 7 shtator 2026;

• Urdhri i dytë mbrojtës i datës 16 tetor 2026 është ekzekutuar me 6 ditë vonesë më 22 tetor 2026, dhe atë pas ndërmarrjes së veprimeve zyrtare nga IPK e cila kishte pranuar fillimisht një informatë nga ankuesja – znj.Zekaj ;

• Mos trajtimi nga zinxhiri komandues i shkresës/emailit të datës 23 tetor 2026, të dërguar nga hetuesi policor i cili kërkon vlerësim të rastit dhe asistence në kapacitete. Hetuesi kishte vlerësuar që gjatë kohës që znj. Arlinda Zekaj ndodhej në shtëpi, të vizitohej nga patrulla të uniformuara policore dhe komunikim të shtuar me të, me qëllim të evidentimit të situatës brenda shtëpisë;

• Dështim i zinxhirit përgjegjës komandues në trajtimin e rastit të dhunës në familje, vlerësimit të nivelit të rrezikut dhe ekzekutimit të vendimit të Gjykatës kompetente duke përfshirë: Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Stacionin Policor në Pejë, Nënstacionin policor në Vitomiricë dhe njësitë e hetimeve nga niveli rajonal dhe në nivel stacioni.

Bazuar në të gjeturat deri më tani nga veprimet e ndërmarra hetimore, IPK i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e 11 zyrtarëve të cilët bazuar në këtë rekomandim kanë suspenduar:

U.D/drejtorin Rajonal në DRP-Pejë,

Shefin e Hetimeve Rajonale DRP – Pejë,

Komandantin e Stacionit Policor – Pejë,

Z.V/komandantin e Stacionit Policor – Pejë,

Shefin e Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor –Pejë,

U.D/Shefin e Sektorit të Operativës në Stacionin Policor – Pejë,

Komandantin e Nënstacionit Vitomiricë dhe

4 (katër) hetues policorë të Stacionit Policor – Pejë.

Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar që në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, të sigurojë trajtim profesional, të paanshëm dhe të gjithanshëm të kësaj çështjeje, duke respektuar ligjshmërinë, prezumimin e pafajësisë dhe integritetin e procesit hetimor”, thuhet në njoftim. /KosovaPress/

Read Previous

“Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë”, protestuesit kërkojnë përgjegjësi

Read Next

Zyra e Kryeministrit pranoi raportet lidhur me rastin e Arlinda Zekajt