Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar sot lidhur me protestat në Shqipëri, duke vlerësuar se institucionet atje duhet t’u kushtojnë vëmendje kërkesave të studentëve dhe të angazhohen për tejkalimin e situatës.
Haxhiu ka kundërshtuar përdorimin e dhunës, duke bërë thirrje që të dyja palët të përmbahen nga veprimet e tilla. Sipas saj, një qasje serioze dhe e matur është e domosdoshme për tejkalimin e ndasive, ndërsa shtoi se arroganca mund të nxisë protesta të mëtejshme, raporton KosovaPress.
“Secili në Republikën e Kosovës i ka përcjellë me shqetësim zhvillimet në Shqipëri. Ajo çka po ndodh atje sigurisht na shqetëson të gjithëve, pasi Shqipëria për ne është shtëpi. Është shumë e rëndësishme që kërkesat e protestuesve të dëgjohen nga institucionet. Secili prej drejtuesve të institucioneve atje, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca, e ka obligim t’i trajtojë kërkesat e studentëve. A janë ato që kanë dalë tash, a janë të shtresëzuara, që kanë nisur shumë më herët. Natyrisht se ne nuk mbështesim dhunën. Dhuna duhet të ndalohet nga të dyja palët. Është e rëndësishme qasja serioze në raport me këto protesta dhe jo arroganca. Arroganca vetëm i nxit protestat dhe thërras që me maturi dhe seriozitet të tejkalohen ndasitë që mund t’i kenë”, tha ajo në konferencë për media të hënën, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Kryetarja e Kuvendit është deklaruar edhe për pjesëmarrjen e mundshme të mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje në protestat në Shqipëri.
Ajo ka mohuar se partia ka bërë thirrje për pjesëmarrje, duke theksuar se LVV-ja nuk mund të mbahet përgjegjëse për vendimet individuale të mbështetësve të saj.
Haxhiu ka shtuar se mbështetja qytetare për Vetëvendosjen nuk nënkupton se partia organizon apo drejton pjesëmarrjen e simpatizantëve të saj në protesta jashtë Kosovës.
“Sa i përket pjesëmarrjes së ndonjë mbështetësi, dua të theksoj se asnjëherë nuk ka pasur thirrje nga LVV-ja që të mbështeten protestat. Nuk i takon Vetëvendosjes kjo. LVV-ja ka mbështetje të madhe qytetare, por nuk mund të mbahet LVV-ja përgjegjëse nëse mbështetësit tanë shkojnë dhe protestojnë atje”, përfundoi ajo.
Për këtë çështje foli edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri.
“Çka shohim në Shqipëri na dhemb zemra. Nuk na vjen mirë. Kush frymon dhe mendon shqip, kur e sheh që po digjet Shqipëria, zemra dhemb. Nuk rrihet rehat në shtëpi. Çka po ndodh atje, ata janë përgjegjës. Sikurse nuk duhet të përzihen ata në punët tona këtu. Një porosi e kemi: ruajeni Shqipërinë, se është e shqiptarëve”, potencoi ai.
Prej shtatë ditësh, studentë, nxënës dhe qytetarë kanë protestuar në Tiranë dhe qytete të tjera në Shqipëri. Tubimet e ditëve të mëparshme janë shoqëruar me episode dhune dhe ndërhyrje të Policisë së Shtetit, djegie të disa bizneseve private, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe lëndime nga të dyja palët. /KosovaPress/