Marcus Krösche është shumë pranë emërimit si drejtuesi i ri i futbollit te Milani, pasi është larguar zyrtarisht nga posti i drejtorit sportiv të Eintracht Frankfurtit.
Lajmin e ka bërë të ditur gazetari italian Matteo Moretto, sipas të cilit, çështja financiare mes palëve është zgjidhur që në muajin qershor dhe nuk përbën pengesë për finalizimin e marrëveshjes.
Sipas Morettos, negociatat gjatë javëve të fundit janë përqendruar kryesisht në përcaktimin e rolit të Krösches brenda klubit, kompetencave që do të ketë dhe mënyrës se si do të integrohet në strukturën ekzistuese drejtuese të Milanit.
Pas bisedimeve të gjata dhe sqarimit të disa detajeve, palët janë shumë pranë përmbylljes së procesit, ndërsa emërimi i Krösches në këtë pozitë duket gjithnjë e më i afërt.
Krösche ka qenë drejtor sportiv i Eintracht Frankfurtit, ku ka pasur rol të rëndësishëm në ndërtimin e skuadrës dhe planifikimin sportiv të klubit gjerman. /tvsyrivision/