​Çfarë ndodhi me Zhegrovën para ndeshjes Lecce – Juventus?

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, dyshohet se është përballur me fyerje nga tifozët e Lecces gjatë nxehjes para ndeshjes kundër Juventusit, ndërsa futbollisti kosovar raportohet se u është përgjigjur me një gjest provokues ndaj tifozëve vendas.

Lajmi është publikuar në rrjetet sociale nga faqja Forza Juve”, e cila i është referuar një raportimi të faqes italiane Passione Juve24 në Instagram. Sipas këtij raportimi, tifozët e Lecces kanë drejtuar kore fyese ndaj Zhegrovës, i cili më pas ka reaguar në drejtim të tribunave.

Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim për rrethanat e incidentit dhe as një reagim publik nga vetë futbollisti apo Juventusi lidhur me këtë ngjarje.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur para përballjes të së dielës, të cilën Juventusi e fitoi 2-0 në udhëtim ndaj Lecces. Zhegrova nuk u aktivizua në këtë takim nga trajneri Luciano Spalletti, duke e ndjekur të gjithë ndeshjen nga stoli.

Mbetet e paqartë nëse incidenti i raportuar ka pasur ndonjë ndikim në vendimin e Spallettit për të mos e aktivizuar futbollistin kosovar. Për momentin, nuk ka të dhëna të konfirmuara që lidhin drejtpërdrejt reagimin e pretenduar të Zhegrovës me vendimin e trajnerit.

Me fitoren ndaj Lecces, Juventusi arriti në kuotën e 14 pikëve në kampionat, ndërsa Zhegrova vazhdon të kërkojë më shumë hapësirë në skuadrën torineze. /KosovaPress/

Read Previous

​Zulfaj: Asnjë reformë nuk do të mbetet prapa, Kosova synon përfitimin e 882 milionë eurove nga BE-ja

Read Next

Haxhiu: Kuvendi do të votojë për ligjin e Speciales