​Analiza e Demokraci Plus: Botuesit ndikojnë në përzgjedhjen e teksteve shkollore

Transparenca dhe llogaridhënia gjatë vlerësimit, miratimit dhe përdorimit të teksteve shkollore mbeten të pamjaftueshme në Kosovë.

Kështu thuhet në analizën e Demokraci Plus, e cila evidenton paqartësi në disa faza të këtij procesi.

“Gjetjet tregojnë se korniza ligjore përcakton rolet e recensentëve, Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore, Ministrisë së Arsimit dhe shkollave, por nuk siguron gjithmonë transparencë të plotë për mënyrën se si merret vendimi përfundimtar”, thuhet në analizë, transmeton KosovaPress.

Sipas hulumtimit, 57.1 për qind e respondentëve mendojnë se shtëpitë botuese ndikojnë shumë në përzgjedhje. Ndërkaq, 28.6 për qind vlerësojnë se ndikimi është i pranishëm deri diku.

Në total, 85.7 për qind perceptojnë një shkallë ndikimi të botuesve te shkollat dhe mësimdhënësit.

Vetëm 7.1 për qind besojnë plotësisht se librat zgjidhen kryesisht në bazë të cilësisë. Rreth 44.6 për qind nuk kanë aspak besim se vendimmarrja mbështetet në këtë kriter.

Analiza evidenton se ligji ua njeh mësimdhënësve të drejtën e zgjedhjes. Megjithatë, mungon një procedurë e njëjtë për krahasimin e teksteve dhe dokumentimin e vendimit.

“Në mungesë të një procedure uniforme, shkollat organizojnë përzgjedhjen në mënyra të ndryshme. Vendimi mund të merret nga mësimdhënësi individual, aktivi profesional, drejtori ose këshilli i shkollës, pa qenë gjithmonë e qartë se cili prej tyre e ka pasur rolin vendimtar”, theksohet në raport.

D+ vlerëson se ndikimi mund të shfaqet përmes kontakteve individuale, prezantimeve selektive dhe materialeve promovuese. Në këtë kuadër përmenden edhe trajnimet, sponsorizimet dhe dhuratat.

“Gjetjet evidentuan se shtëpitë botuese u ofrojnë mësimdhënësve materiale të ndryshme, si ditarë personalë, USB, llap-top, ose u premtojnë shkollave mbështetje për projekte”, thuhet në dokument.

Sipas raportit, këto përfitime mund ta zhvendosin vëmendjen nga cilësia e përmbajtjes. Ato mund të krijojnë konflikt interesi, edhe kur nuk përbëjnë korrupsion në kuptimin penal.

Rreth 84.9 për qind e të anketuarve besojnë se promovimi më i fuqishëm mund të favorizojë një tekst më pak cilësor.

Hulumtimi ka gjetur mangësi edhe pas hyrjes së librave në përdorim. Gjithsej 80.4 për qind deklaruan se kanë vërejtur shpesh gabime ose probleme.

Përmbajtja e paqartë është përmendur nga 66.1 për qind e respondentëve. Gabime gjuhësore kanë evidentuar 50 për qind, ndërsa mangësi në pyetje, detyra ose ilustrime 49.1 për qind.

Pasaktësi shkencore ose faktike kanë vërejtur 30.4 për qind e pjesëmarrësve në sondazh.

“Aktualisht mungon një mekanizëm i qartë dhe i centralizuar për raportimin, regjistrimin dhe trajtimin e tyre”, thekson D+.

Organizata kërkon që përgjegjësia institucionale të vazhdojë edhe pasi materialet të hyjnë në përdorim.

“Llogaridhënia nuk duhet të përfundojë me miratimin e tekstit, por të vazhdojë përmes një sistemi që përcakton qartë se kush trajton problemin dhe kur kërkohet korrigjim, rivlerësim, pezullim ose tërheqje nga përdorimi”, thuhet në analizë.

Demokraci Plus rekomandon krijimin e një platforme publike për paraqitjen e gabimeve. Aty duhet të publikohet përgjigjja e botuesit, masa e ndërmarrë dhe afati për korrigjim.

Përzgjedhja nëpër shkolla rekomandohet të zhvillohet përmes një procedure uniforme. Procesi duhet të përfshijë kriteret, propozimin profesional, rezultatin e votimit dhe arsyetimin pedagogjik.

Inspektoratit të Arsimit i kërkohet ta mbikëqyrë zbatimin e rregullave. Ai duhet të verifikojë edhe respektimin e dispozitave për konfliktin e interesit dhe ndikimin e botuesve. /KosovaPress/

Read Previous

Avokati i Popullit: Dallimi në kompensim mes gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të rishikohet

Read Next

Salah futet në histori të futbollit turk duke thyer rekordin historik